Aleksander Isak po mendon të ndërpresë kontratën që e lidh me klubin e Njukasëll në mënyrë të njëanshme, që të nënshkruajë me pas me Liverpulin.
Ky është lajmi i bujshëm i përhapur nga “Goal.com”, i cili tregon se si sulmuesi suedez po planifikon një lëvizje të bujshme që do të ndryshonte futbollin botëror, pasi do të bëhej shembull për shumë lojtarë të tjerë.
Isak kërkon me çdo kusht të shkojë te Liverpuli, por Njukasëlli ka refuzuar çdo ofertë nga “Anfield Road” për sulmuesin, duke e mbajtur këtë të fundit pjesë të klubit.
Një situatë që ka acaruar lojtarin i cili trashmë mendohet se po mendon të shfrytëzojë vendimi e Gjykatës Europiane të Drejtësisë rreth çështjes së ish-futbollistit Lasana Diarra.
Ky i fundit fitoi një gjyq ndaj FIFA-s dhe ish-klubit, Lokomotiv Moskë, që e la një vit jashtë fushave të lojës duke u bazuar në rregulloret e FIFA-s, pasi Diarra nuk pranonte të transferohej ku dëshironin rusët. Gjykata Europiane dekretoi se rregulloret e FIFA-s bënin shpesh që lojtarët të mos kishin zgjedhje, ndaj i cilësoi të padrejta ato.
Në këtë mënyrë, Isak po mendon të shfrytëzojë këtë vendim për t’u shkëputur nga Njukasëll e për të firmosur me Liverpulin. Sipas udhëzimeve të Gjykatës, shifra që ai duhet të paguajë është shumë më e vogël nëse ndërpret në mënyrë të njëanshme kontratën pasi përllogaritet në bazë të viteve të mbetura në marrëveshjen ekzistuese me Njukasëll.
Një shumë që ai mund ta përfitojë mbrapsht nga Liverpuli nëse ia del me sukses në tentativën e tij për t’u larguar nga klubi aktual.