Pau Cubarsí ndau përshtypjet e tij për fazën përgatitore të Barcelonës, efektin që ka Lamine Yamal dhe objektivat e klubit katalanas për sezonin e ardhshëm.
Qendërmbrojtësi pranoi se disa skuadra tashmë e kanë kuptuar lojën e tyre me vendosjen në pozicion jashtë loje dhe se duhet të jenë më të vëmendshëm “në momente të caktuara të ndeshjes”.
Qetësia, pavarësisht moshës së re: “Nuk mbaj mend kur kam qenë nervoz për herë të fundit. Është e vërtetë që më thonë se jam shumë i qetë, në fakt jam i tillë gjithmonë. Edhe familja ime është e tillë.
Në fushë më pëlqen të tregoj karakter, ndërsa jashtë saj jam shumë i qetë. Gjatë grumbullimeve fle gjumë pasdite. Nuk kam pasur kurrë ‘PlayStation’. Sa për muzikën, Lamine Yamal është DJ i dhomës së zhveshjes. Disa nga këngët që vë ai më pëlqejnë”.
Faza përgatitore dhe gabimet në mbrojtje: “Po kalojmë mirë dhe kemi ndjesi pozitive, pavarësisht lagështirës. Ndaj Seulit kishim më shumë ritëm sesa ndaj Vissel, por është e vërtetë që duhet të përmirësohemi në mbrojtje.
Duhet të jemi më solidë në momente të veçanta, si në minutat e fundit të pjesëve. Me kalimin e kohës do të përmirësohemi.
Filozofia e trajnerit është kjo. Fillimisht i çoroditëm kundërshtarët me aplikimin e pozicioneve jashtë loje, pastaj na kuptuan.
Duhet të dimë të përshtatemi në varësi të momentit të ndeshjes. Gjithçka është çështje pune, komunikimi dhe besimi te shoku i skuadrës”.