Sindikata e Policisë: I papranueshëm sulmi ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti

- Bota Sot

Sindikata e Policisë: I papranueshëm sulmi ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti

Sindikata e Policisë së Kosovës përmes një reagimi publik shpreh shqetësimin e thellë lidhur me sulmin e papranueshëm që u është bërë dy zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga tre persona të dyshuar në fshatin Drobesh, Komuna e Vitisë.

Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës.

“Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm”, thuhet në reagim.

Njëkohësisht, Sindikata e Policisë së Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë punën e Policisë, të mos ushtrojnë rezistencë ndaj urdhrave ligjorë të zyrtarëve policorë – pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike – si dhe ta mbështesin Policinë e Kosovës si institucion kyç për sigurinë, rendin dhe zbatimin e ligjit në vend.

“Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme. Sindikata e Policisë së Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në përkrahje të secilit zyrtar policor në përmbushje të misionit të tij ligjor dhe profesional”, vijon reagimi.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy zyrtarë policorë janë sulmuar gjatë tentimit për të arrestuar tre të dyshuar.

Rasti ka ndodhur në fshatin Drobesh, Viti më 01.08.2025, në ora 20:00.

“Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë-zyrtarë policorë, kanë has në rezistencë gjatë tentim arrestimit të tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë sulmuar fizikisht nga të dyshuarit”, thuhet në raport.

Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar. I dyshuari i tretë gjendet në arrati.



Read it all at Bota Sot