Transferimi i Ansu Fati-t nga Barcelona te AS Monaco në fund të qershorit u pa si një bast interesant i klubit francez për të ringjallur karrierën e një talenti që dikur u konsiderua pasardhësi i Lionel Messit.
Por më shumë se një muaj më vonë, sulmuesi 22-vjeçar nuk ka luajtur asnjë minutë në asnjë nga gjashtë miqësoret përgatitore të skuadrës nga Principata, një mungesë që tashmë po bën zhurmë në Spanjë.
Së bashku me Paul Pogban, Fati mbërriti në Monaco me synimin për të rilindur pas një sezoni të zymtë te Barcelona, ku në total regjistroi vetëm 11 paraqitje dhe më pak se 300 minuta lojë. Megjithatë, ndërsa Pogba tashmë ka nisur të integrohet në skuadër, Fati nuk ka debutuar ende, duke shtuar pikëpyetjet në radhët e tifozëve dhe mediave iberike.
Trajneri i Monacos, Adi Hutter, është përpjekur të shuajë spekulimet, duke theksuar se mungesa e Fati-t është pjesë e një plani të kujdesshëm rikuperimi.
“Ansu Fati po afrohet gjithnjë e më shumë për t’iu bashkuar grupit me Paul Pogba-n. Te Barcelona nuk kishte mundësi të punonte siç duhej, por besoj se për 10 apo 15 ditë do ta kemi më aktiv në stërvitje,” tha Hutter pas fitores 5-0 ndaj Coventry City më 16 korrik.
Duke njohur historinë e tij të përsëritur me dëmtimet, Monaco ka zgjedhur një qasje të kujdesshme. Klubi dhe lojtari kanë ndërtuar një plan individual për ta futur gradualisht Fati-n në ritmin e skuadrës, duke shmangur çdo risk të një rikthimi të parakohshëm që mund të provokojë një tjetër ndërprerje të karrierës së tij.