Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, pritet të takohet të martën, më 5 gusht 2025, me portierin gjerman Marc-Andre ter Stegen, për të zbutur tensionet e krijuara mes tij dhe klubit, raporton “Sport”.
Ky takim synon të qartësojë çdo keqkuptim që ka lindur gjatë javëve të fundit. Ter Stegen thuhet se është i pakënaqur me mënyrën se si Barcelona ka menaxhuar situatën e tij, duke dyshuar se klubi po përpiqet ta largojë apo ta margjinalizojë atë.
Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës shpresojnë ta bindin portierin të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë pjesëmarrjen në projektin sportiv të klubit.
Një tjetër çështje delikate që do të diskutohet është miratimi i një raporti mjekësor që duhet dorëzuar në La Liga.
Klubi dëshiron që Ter Stegen të japë dritën jeshile për një deklarim zyrtar që ai do të mungojë për të paktën katër muaj për shkak të një dëmtimi.
Nëse kjo ndodh, Barça do të përfitojë nga rregullorja e ligës spanjolle, që i lejon të lirojnë 80% të pagës së lojtarit të dëmtuar, çka do i hapte rrugën regjistrimit të portierit Joan Garcia në skuadër.
Ky manovrim financiar është i rëndësishëm për Barcelonën, e cila vazhdon të përballet me kufizime të mëdha në hapësirën e pagave.