Pas një sezoni komplet në hije te Barcelona, Ansu Fati u largua sërish nga katalanasit këtë verë dhe u dërgua në huazim te Monaco, me shpresën për të “shpëtuar” karrierën.
Edhe pse ka gati një muaj te Monaco dhe në këtë periudhë klubi i Principatës ka luajtur 6 ndeshje miqësore, Ansu Fati nuk është aktivizuar në asnjërën prej tyre.
Kjo gjë ka ngjallur dyshime te tifozët dhe jo vetëm, madje disa media franceze raportuan se Monaco mund të ishte bërë pishman kaq shpejt për marrëveshjen me Barcelonën për Ansu Fati.
Për të hedhur poshtë këto dyshime, ka reaguar trajneri i Monaco-s, Adi Hütter, i cili ka konfirmuar se spanjolli po ndjek një program të personalizuar.
Sipas trajnerit është rënë dakord që lojtari të mos përfshihej në ndeshjet miqësore mënyrë që të përgatitej më mirë për sezonin e ardhshëm dhe të sigurohet që të mos të përsëritet më “makthi” i lëndimeve. Kujtojmë se Ansu Fati është huazuar te Monaco me të drejtë blerjeje.