Ylli i ri i Realit

- Bota Sot

Ylli i ri i Realit

Ylli argjentinas, Mastantuono mbërrin në Spanjë këtë fundjavë për të filluar aventurën e tij si lojtar i Realit të Madridit. Statusi i tij nën moshë do ta pengojë atë të luajë nën drejtimin e Ksabi Alonsos kur Reali të kthehet në stërvitje të hënën e ardhshme.

Kështu, vetëm më 14 gusht, kur ai do të mbushë 18 vjeç, ai mund t’i bashkohet grupit dhe të fillojë kohën e tij në Madrid me qëllimin për të bërë histori. Sepse me Mastantuonon, Reali rikthen “shpirtin e Di Stéfano-s”. Në fakt, figura e legjendës së Realit të Madridit është shumë e pranishme në perlën e re të “los blancos”. Vetë lojtari e konfirmoi këtë në një deklaratë pak para mbërritjes së tij në Valdebebas.

“Të ndjekësh të njëjtën rrugë si Don Alfredo është një burim krenarie për dikë që ka lindur në River Plate”, pranon ai. Mastantuono dhe Di Stefano do të ecin dorë për dore në aventurën e yllit të ri te Reali. Në fakt, Mastantuono është në garë për të veshur fanellën me numër 9 që Mbape e ka lënë të lirë. Nëse ai e vesh atë, “shpirti i Di Stéfanos” do ta shoqërojë atë në çdo gjest, gol, festim, driblim…

Nënshkrimi i tij për Madridin është një lidhje e fortë, por veshja e numrit 9 do të ishte përcaktuese. Tani lojtari i ri duhet të shkruajë historinë e tij, sepse historia e Don Alfredos është e madhe. Mastantuono vjen i etur për të sfiduar botën dhe për ta kthyer Bernabeun përmbys. Madridi i ka vënë një perlë në duart e Ksabi Alonsos dhe do t’i duhet ta përmirësojë atë për ta çuar në nivelin që ai mendon se mund të arrijë: atë të një ylli botëror.

NJË SFIDË E MIRË – Shumë nga lojtarët e rinj që kanë mbërritur së fundmi te Reali i Madridit kanë paguar çmimin e rinisë kur bëhet fjalë për të bërë emër për veten. Raste si Valverde, Rodrigo, Kamavinga, Gyler dhe Endrik janë më të fundit. Por Mastantuono vjen me qëllimin për të “anashkaluar” procesin siç bëri Bellingam. Pikërisht mungesa e anglezit, i cili nuk do të kthehet deri në tetor ose nëntor pas operacionit në shpatull është një dritare përmes së cilës ylli i ri argjentinas mund të futet “fshehurazi” për të marrë vëmendjen qendrore që nga fillimi dhe për të fituar besimin e Ksabit.

RRUGA DREJT MADRIDIT – Di Stéfano kishte qenë anëtar i River Plate që kur ishte 7 vjeç, teksa në vitin 1944 u bashkua me ekipin e të rinjve të këtij klubi. Një vit më vonë, ai debutoi me ekipin e parë të River Plate kundër Hurakan, ndeshja e vetme që luajti në kampionatin që fitoi River. Më vonë ai u huazua te Hurakan, përpara se të kthehej te River Plate dhe të bëhej idhull. Më pas hapi i madh dhe legjenda në Madrid. Ashtu si Di Stefano, Mastantuono iu bashkua River Plate në vitin 2019 në moshën 12 vjeç.

Në vitin 2022, ai u bashkua me programin “RiverDAR” për atletë me performancë të lartë dhe në vitin 2023, ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh. Një muaj më vonë, ai u thirr nga Demikelis për t’u stërvitur me ekipin e parë. Ai bëri debutimin e tij zyrtar më 28 janar 2024 kundër Argentinos Juniors. Në shkurt, ai u bë lojtari më i ri në historinë e River Plate që shënon në një ndeshje zyrtare, në moshën 16 vjeç, pesë muajsh dhe 24 ditësh, duke tejkaluar Saviolën.



Read it all at Bota Sot