Prishtina ka ndarë rrugët me trajnerin Arsim Thaçi, ka mësuar ekskluzivisht Telegrafi nga burimet e saj.
Thaçi mori drejtimin e kryeqytetasve rreth katër muaj më parë duke zëvendësuar teknikun francez Jean Michel Cavalli në një periudhë të vështirë për klubin.
Me Prishtinën ai ia doli që ta fitojë Kupën e Kosovës pas triumfit ndaj Llapit në finale, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në garat evropiane.
Rezultatet e Prishtinës në Evropë nuk ishin të mira, duke u eliminuar fillimisht nga kualifikueset e Ligës së Evropës pas disfatës ndaj Sheriff Tiraspolit me rezultat të përgjithshëm 5-2.
Prishtina më pas i vazhdoi garat në kualifikueset e Ligës së Konferencës, ku edhe aty dëshpëroi duke u eliminuar nga Larne pas ekzekutimit të penalltive.
Sipas burimeve të Telegrafit, në vend të Thaçit, Prishtinën përkohësisht do ta udhëheqë Blerim Bunjaku, teksa klubi po punon për gjetjen e timonierit të ri.
Bunjaku ishte asistent i Thaçit gjatë kësaj periudhe tek Prishtina dhe e njeh mirë ambientin brenda klubit bardhëekaltër.