Të ulen shpenzimet mujore për refugjatët ukrainas?

- Bota Sot

Të ulen shpenzimet mujore për refugjatët ukrainas?

Në Gjermani, që nga qershori i vitit 2022, refugjatët ukrainas kanë marrë automatikisht ndihmat sociale si të gjithë gjermanët, të ashtuquajturin Bürgergeld. Këto ndihma mujore për personat e papunë është 563 euro në muaj.

Kjo i dallonte ukrainasit nga azilkërkuesit e tjerë që marrin 460 euro në muaj dhe jetojnë në qendra ose strehimore me infrastrukturë të përbashkët (vetëm në raste të rralla mund tu jepet leje për tu zhvendosur në një apartament privat).

Këto ndihma të plota jepen për një periudhë 6 muajore, pas së cilës mund të zvogëloheshin nëse përfituesi nuk tregonte përparim në gjetjen e një pune ose të ardhurash. Ky rregull vlen edhe për shumën mujore të destinuar për azilkërkuesit ukrainas.

Sipas marrëveshjes së koalicionit midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, refugjatët ukrainas që erdhën në Gjermani pas 1 prillit 2025, nuk kanë më të drejtë për këto ndihma, por në vend të kësaj marrin kompensim si azilkërkues.

Kryeministri bavarez dhe kreu i CSU-së Markus Söder, në një intervistë me shërbimin publik ZDF, kërkoi që shuma më e ulët tani tu jepet edhe atyre refugjatëve ukrainas që erdhën në Gjermani para 1 prillit të këtij viti.

Shpenzime të larta shtetërore

Duke shpjeguar iniciativën e tij, Söder tha, se "nuk ka vend në botë" që i trajton refugjatët ukrainas siç i trajton Gjermania kur bëhet fjalë për të ardhurat e shërbimit civil. Kjo është, sipas tij, një nga arsyet pse, siç e tha ai, "kaq pak njerëz nga Ukraina punojnë" në Gjermani, edhe pse kanë kualifikime të mira.

Agjencia Federale e Punësimit raporton se rreth një e treta e refugjatëve ukrainas në Gjermani janë të punësuar.

Söder nuk vuri në dyshim përfitimet e tjera për refugjatët nga Ukraina. Për shembull, këta njerëz regjistrohen në Shërbimin e Punësimit menjëherë pas mbërritjes, njësoj si të gjithë emigrantët e tjerë të rregullt.

Nëse ata fillojnë trajnimin profesional (një trajnim klasik trevjeçar për një profesion), ai paguhet, si dhe kursi i integrimit që përfshin një kurs të gjuhës gjermane. Përveç trajnimit, shteti mbulon edhe kostot e transportit, librave ose materialeve, si dhe kujdesin për fëmijët.

Sipas një vlerësimi të përafërt, shteti gjerman paguan midis 1,700 dhe 2,000 euro në muaj për një refugjat nga Ukraina.

Në vitin 2024, në Gjermani kishte rreth 5.5 milionë njerëz që merrnin ndihma të tilla, përfshirë fëmijë dhe të rinj. Nga këta, 47 përqind - pak më shumë se 2.5 milionë vetë - nuk kanë pasaportë gjermane., E rreth 700,000 deri në 800,000 janë ukrainas.

Kostot e sigurimeve shoqërore janë rritur vitet e fundit: Gjermania ndau rreth katër miliardë euro më shumë vitin e kaluar sesa në vitin 2023 - një total prej 46.9 miliardë eurosh. Kjo përfaqëson një rritje prej mbi nëntë përqind.

Deri më tani, reagime të përziera, mbizotërojnë kritikat

Reagimet e para ndaj propozimit të Söder janë kritike. Ndër të parët që folën ishte ambasadori ukrainas në Gjermani, Oleksiy Makeyev. Ai i tha radios Deutschlandfunk se propozimi ishte i vështirë për tu kuptuar dhe i padrejtë, duke shtuar se ishte "gabim ti bësh refugjatët ukrainas kurban" për barrën e sistemit gjerman.

Pati reagime të përziera nga vetë kristiandemokratët. Për shembull, Michael Kretschmer, kreu i partisë në Saksoni, tha se paratë që shteti ndan për ndihma duhet të ulen dhe se kostot e larta nuk duhet të injorohen.

Kreu i Shoqatës së Punëtorëve Kristiandemokratë të Gjermanisë, e cila vepron brenda CDU-së, Denis Rathke, e kritikoi ashpër Söderin si një "populist" që dërgon mesazhe të panevojshme sensacionale për publikun.

Ai beson se zbatimi i propozimit të Söderit do ta "bënte më të vështirë integrimin" e refugjatëve ukrainas në Gjermani./DW



Read it all at Bota Sot