Ka nisur zyrtarisht dje sezoni i ri për Real Madridin.
Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso është rikthyer në stërvitje në kompleksin e Valdebebas, pas pushimit të shkurtër të dhënë për shkak të angazhimeve në Botërorin e Klubeve. Pas më shumë se tre javësh, madrilenët do të zbresin sërish në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat, ndaj Osasunës.
Ndër ata që është gati për të nisur me vrull aventurën e re është edhe Kylian Mbappé.
Sulmuesi francez ka lëshuar një mesazh të qartë në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë entuziazmin dhe vendosmërinë për sezonin e ri.
Ai ka hequr dorë nga fanella me numrin 9 për të marrë numrin 10, të lënë bosh nga Luka Modric, i cili këtë verë u transferua te Milani.
“Sezon i ri… Uri për të bërë diçka të madhe. Forca, të gjithë bashkë, Madridistë!!! Hala Madrid!”, shkroi Mbappe në Instagram.
Sulmuesi 26-vjeçar është i motivuar për të lënë gjurmë, sidomos pas një sezoni zhgënjyes në aspektin kolektiv, ku Real Madrid nuk arriti të fitonte as La Ligën dhe as Champions League. Sidoqoftë, në aspektin personal, Mbappe bëri një paraqitje të jashtëzakonshme: 44 gola dhe 5 asistime në 59 ndeshje të zhvilluara.