Nuk ka më. Mbaruan 24 ditët e pushimeve që kishte skuadra e bardhë pas Kupës së Botës për Klube.
Një fillim nga e para, në fakt, për grupin e Xabi Alonso, i cili më në fund ka 25 lojtarë në dispozicion, nëse përfshijmë edhe Mastantuono, transferimi i të cilit bëhet zyrtar më 14 gusht, kur mbush moshën madhore, si dhe Gonzalo, i cili ende është në negociata me Real Madridin për një kontratë si profesionist, por që ka nisur punën me pjesën tjetër të grupit në Valdebebas.
Do të jetë një fazë përgatitore “expres”, me vetëm 15 ditë kohë, nga dje deri më 19 gusht, kur Real Madridi pritet të luajë kundër Osasunës në “Bernabéu”, në ndeshjen hapëse të kampionatit të ri. Kërkesa për ta shtyrë këtë ndeshje nuk u pranua. Më pas do të ketë dy ndeshje të tjera në La Liga, kundër Oviedos (më 24 gusht) dhe Real Sociedadit (më 30 gusht), përpara se të vijë pauza e parë për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Gjatë këtyre përgatitjeve është planifikuar vetëm një miqësore, më 12 gusht kundër WSG Tirol, në Innsbruck. “Po largohem me bindje të qarta, – tha Xabi Alonso në konferencën për shtyp pas disfatës ndaj PSG-së në Botërorin e Klubeve. – Tani e di saktësisht se ku ndodhemi. Largohemi prej këtu si një ekip më i mirë”.
Trajneri bask ka pasur kohë të analizojë nevojat dhe aspektet që duhen përmirësuar, pasi skuadra është e njëjtë me atë të turneut në SHBA, përfshirë edhe Mastantuonon, që nuk ishte i disponueshëm atëherë. Në SHBA, Alonso kishte bërë tashmë një diagnozë fillestare: “Ideja është që të 11 lojtarët të jenë të angazhuar me dhe pa top. Që skuadra të jetë një e vetme”.
Që dje, puna ka rinisur. Në mëngjes u zhvilluan testet fizike, pesha, analizat klinike dhe hapat e parë të përgatitjes. Ndërsa në orën 18:00 nisi stërvitja e parë zyrtare.
Skuadra është përforcuar ndjeshëm në mbrojtje me ardhjet e Huijsen, Trent dhe Carreras, plus rikthimin e Militaos. Mesfusha ka mbetur e pandryshuar, ndërsa sulmi është forcuar më tej me Mastantuonon. Këto janë pjesët e reja në një ekip ku kanë hapësirë edhe Gonzalo, ndërkohë që janë larguar Vallejo, Modric dhe Lucas Vázquez. Ky rinovim e ka ulur moshën mesatare të “Los Blancos” në vetëm 25.2 vjeç.
Vetëm pesë lojtarë janë 30 vjeç ose më shumë: Courtois, Alaba, Rüdiger, Carvajal dhe Mendy. Në të kundërt, nëntë lojtarë janë 22 vjeç ose më pak: Gonzalo, Endrick, Mastantuono, Bellingham, Camavinga, Güler, Carreras, Huijsen dhe Asencio. Një ekip me të ardhme, pa dyshim, ku sulmi është pjesa më e re, me lojtarë si Mastantuono, Brahim, Mbappé, Gonzalo, Endrick, Vinicius dhe Rodrygo, që kanë moshë mesatare 22.5 vjeç.
Përveç katër përforcimeve të reja (pesë me Gonzalon), ka disa situata të ndjeshme për sa iu përket largimeve. Transferimet janë të pamundura, pasi askush nuk dëshiron të largohet nga Real Madridi. Këtu kemi parasysh Alaba, Mendy apo Rodrygo. Këtij të fundit, Xabi Alonso i tregoi derën gjatë Kupës së Botës për Klube, por ai nuk ka ndërmend të largohet. Trajneri ka një bisedë në pritje edhe me brazilianin, por edhe me Ceballos, i cili nuk është i kënaqur me rolin e tij, sidomos pas mbërritjes së Mastantuonos.
Priten shumë pak ndërhyrje të tjera në merkato për këtë ekip me 25 lojtarë, me të cilët Xabi Alonso do të tentojë të fitojë 4 trofetë e sezonit: Champions League, La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa, pas një sezoni zhgënjyes.