Udhëheqësja rajonale e Moldavisë dënohet me shtatë vite burg për financim nga Rusia

- Bota Sot

Udhëheqësja rajonale e Moldavisë dënohet me shtatë vite burg për financim nga Rusia

Një gjykatë në Moldavi ka dënuar me shtatë vite burg udhëheqësen rajonale pro-ruse, Yevgenia Gutsul, për kanalizimin e fondeve ruse për të financuar një parti politike, në një çështje të rëndësishme që pritet të përshkallëzojë më tej tensionet me Moskën.

The Guardian shkruan se prokurorët deklaruan se Gutsul ka transferuar në mënyrë të sistematizuar fonde të padeklaruara në Moldavia nga viti 2019 deri më 2022, për të financuar partinë tashmë të ndaluar Sor, themeluar nga biznesmeni pro-rus Ilan Shor, i cili jeton në ekzil dhe është dënuar për mashtrim në Moldavi.

Politiania 38 vjeçare u zgjodh në vitin 2023 si kryetare e rajonit gjysmë-autonom të Gagauzisë, në një votim të papritur, që qeveria pro-perëndimore e Moldavisë e cilësoi të ndikuar nga Rusia dhe të financuar prej saj.

Gutsul është përfshirë më parë në listën e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve, nën dyshimet për përpjekje për destabilizimin e Moldavisë. Në mars të këtij viti, ajo u arrestua nga policia moldave në aeroportin e Chisinau ndërsa po tentonte të udhëtonte drejt Turqisë, me akuza për mashtrim zgjedhor.

Të martën, Gutsul e cilësoi vendimin e gjykatës si një përpjekje të autoriteteve për të frikësuar popullin e Gagauzisë. “Ky është një paralajmërim për të gjithë opozitën: nëse i dilni përballë regjimit, përfundoni në burg, iu konfiskohet pasuria dhe iu shkatërrohet jeta,” tha ajo, duke shtuar se nuk e njeh vendimin dhe do të luftojë për të pastruar emrin e saj.

Ajo ka mohuar gjithmonë çdo shkelje, ndërsa avokati i saj, Sergiu Moraru, e ka quajtur vendimin “një ekzekutim publik” dhe premtoi apelim.

Dënimi i Gutsulit vjen në një moment kyç për presidenten pro-BE të Moldavisë, Maia Sandu, e cila fitoi me vështirësi rizgjedhjen vitin e kaluar. Partia e saj, Veprim dhe Solidaritet, do të përballet me zgjedhje parlamentare në fund të shtatorit, përballë një koalicioni forcash miqësore ndaj Rusisë.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Moldavia, një vend i vogël dhe i varfër, ka lëvizur mes kursit pro-perëndimor dhe atij pro-rus, ndërkohë që ndikimi i Kremlinit ka qenë gjithmonë i pranishëm.

Rusia mban ende 1 mijë e 500 trupa në Transnistri, një rajon i kontrolluar nga separatistë pro-rusë që u shkëputën nga autoriteti i Moldavisë pas një lufte të shkurtër në vitet 1990.

Nën drejtimin e Sandu-së, Moldavia ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe ka ndjekur një linjë të qartë larg Moskës. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka rritur frikën se Moldavia mund të jetë në radhë. Sandu ka akuzuar Rusinë për përpjekje për destabilizim përmes Ilan Shor, një miliarder i sanksionuar nga Perëndimi.

Shor u dënua në mungesë me 15 vite burg vitin e kaluar për përfshirjen e tij në zhdukjen e 1 miliard dollarëve nga sistemi bankar moldav. Ai u arratis fillimisht në Izrael dhe më pas në Moskë, ku themeloi një lëvizje politike me mbështetje nga Kremlini.

Moska reagoi menjëherë ndaj dënimit të Gutsul-it. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moldavia kishte shkelur “rregullat dhe normat e demokracisë” duke e dënuar atë me shtatë vite burg.

Gagauzia, një rajon i vogël i banuar nga një minoritet etnik turkik, është kthyer në një bastion të ndjenjave pro-ruse në Moldavi. Marrëdhëniet me kryeqytetin Chisinau kanë qenë të tensionuara që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, por ndryshe nga Transnistria, Gagauzia ka mbetur nën kontrollin zyrtar të Moldavisë.

Që nga zgjedhja e saj si udhëheqëse e Gagauzisë, Gutsul ka vizituar shpesh Moskën, ka takuar zyrtarë të lartë rusë dhe ka siguruar një audiencë me presidentin Vladimir Putin.



Read it all at Bota Sot