Sezoni i ri 2025-2026 ka nisur me polemika dhe tension për Real Madridin, i cili vjen pas një edicioni zhgënjyes, pa asnjë trofe në vitrinë. Humbja ndaj Arsenalit në Champions League dhe ajo ndaj PSG-së në Botërorin për Klube kanë lënë një shije të hidhur, duke rritur presionin mbi klubin dhe stafin e ri teknik.
Në pankinë ka debutuar Xabi Alonso, ndërsa merkatoja është fokusuar në përforcimin e mbrojtjes me afrime të rëndësishme si Trent Alexander-Arnold, Marc Pubill Carreras dhe Dean Huijsen.
Megjithatë, nisja e sezonit është shoqëruar me përplasje institucionale. La Liga ka refuzuar kërkesën e Real Madridit për të shtyrë ndeshjen hapëse ndaj Osasunës, duke mos marrë parasysh argumentin e klubit madrilen, që kërkonte më shumë kohë rikuperimi pas angazhimit në Botërorin për Klube.
Ky vendim ka sjellë reagime të ashpra nga Real Madrid TV, që e ka cilësuar si një “manipulim” dhe “shkelje të etikës sportive”. Akuza të drejtpërdrejta janë bërë në drejtim të presidentit të La Liga-s, Javier Tebas, dhe drejtuesve të RFEF, për “ndërhyrje të padrejtë dhe të njëanshme”.
Përplasja mes Florentino Pérez dhe institucioneve të futbollit spanjoll tashmë është bërë e hapur, ndërsa pritet vendimi i Komitetit Kombëtar të Ankesave, që do të vlerësojë nëse ka pasur shkelje të procedurave apo ndikime të paligjshme.