Presioni i tifozëve detyron Fortuna Düsseldorfin të tërhiqet...

- Bota Sot

Presioni i tifozëve detyron Fortuna Düsseldorfin të tërhiqet...

Fortuna Düsseldorf ka ndërprerë negociatat për transferimin e sulmuesit izraelit, Shon Weissman, i cili pritej të bashkohej me klubin gjerman nga Granada për një shumë prej 500 mijë eurosh. Vendimi i klubit të Bundesligës 2 erdhi pas një vale të fortë kritikash nga tifozët në rrjetet sociale, të cilët kundërshtuan ashpër qëndrimet politike të ish-sulmuesit të Salernitanës.

Sipas raportimeve të Jerusalem Post, reagimi i tifozëve lidhet me disa deklarata të mëparshme të Weissman, ku ai kishte shprehur publikisht mbështetjen për operacionet ushtarake të Forcave të Mbrojtjes Izraelite në Gaza, si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor. Këto komente u cilësuan nga një pjesë e tifozëve si “ekstremiste”.

Fillimisht, Fortuna Düsseldorf e mbrojti lojtarin, duke e quajtur reagimin e tifozëve të papërputhshëm me "frymën e klubit" dhe duke kritikuar faktin që sulmet ndaj tij ishin bazuar në një artikull të Wikipedias. Por, më pak se 24 orë më vonë, klubi ndryshoi qëndrim dhe konfirmoi se po tërhiqej nga marrëveshja.

Pas zhvillimeve, Shon Weissman reagoi në rrjetet sociale, duke shpjeguar pozicionin e tij. Ai e cilësoi datën 7 tetor si një “plagë e hapur” për të dhe kombin e tij, por mohoi çdo akuzë se kishte nxitur urrejtje. “Dhuna ndaj civilëve të pafajshëm, nga cilado palë, është e papranueshme. Një person gjithmonë do të qëndrojë në anën e vendit të tij, çfarëdo që të ndodhë.

Askush nga jashtë nuk mund ta kuptojë vërtet atë që kemi kaluar,” shkroi ai, duke përmbyllur deklaratën me mesazhin se do të vazhdojë ta përfaqësojë me krenari flamurin e Izraelit kudo që do të luajë.



Read it all at Bota Sot