Ardon Jashari është pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicërane pritet të mbërrijë sonte në Milano, ku do të zbresë në aeroportin Linate rreth orës 23:00.
Mëngjesin e së mërkurës ai do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore, hap i domosdoshëm përpara nënshkrimit të kontratës me kuqezinjtë.
Sipas asaj që raporton MilanNeës.it, Jashari do të firmosë një kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh. Marrëveshja mes Milanit dhe Club Brugge do të kushtojë 34 milionë euro, plus 3 milionë bonuse. Megjithatë, mediet belge raportojnë për një shifër që mund të arrijë deri në 39 milionë euro në total.
Çelësi i marrëveshjes ishte dëshira e vetë lojtarit për të veshur vetëm fanellën e Milanit, duke refuzuar një ofertë të majme nga klubi saudit NEOM, e cila ishte pranuar nga Brugge. Si pasojë e marrëveshjes, Jashari nuk është përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar nga Club Brugge për ndeshjen e nesërme ndaj Salzburgut në kuadër të turit preliminar të Ligës së Kampionëve.
Sezoni i fundit ka qenë spektakolar për Jasharin në Belgjikë: ai regjistroi 169 rikuperime, më së shumti nga çdo lojtar në skuadër, si dhe 11 pasime filtruese, rekord i ndarë me Hans Vanaken. Këto statistika i siguruan atij çmimin si lojtari më i mirë i kampionatit belg për sezonin e kaluar. Tashmë, ai është gati për të shkëlqyer në Serinë A me fanellën e Milanit.