Pas largimit të Joao Palhinha te Tottenham, huazim me detyrim blerjeje për 30 milionë euro, Bayern Munich është hedhur në “sulm” për të bërë një përforcim të bujshëm në mesfushë.
Objektivi i madh i bavarezëve, të paktën sipas asaj që raportojnë mediat gjermane është francezi i Real Madrid, Eduardo Camavinga.
Kontrata e 22-vjeçarit me madrilenët skadon në vitin 2029 dhe ai sezonin e kaluar ka qenë një nga pikat kyçe në formacionin e Carlo Ancelotti-t, gjë që pritet të ndodhë edhe tani që trajner është Xabi Alonso.
Pavarësisht rëndësisë së tij të jashtëzakonshme në ekip, drejtuesit e Real Madrid nuk e përjashtojnë largimin e tij nëse vjen një ofertë e kënaqshme dhe këtu bëhet fjalë për një shifër 90-100 milionë euro.
Bayerni, i vetëdijshëm për vështirësinë e marrëveshjes, po shqyrton çdo variabël të mundshëm për të bindur si lojtarin ashtu edhe klubin madrilen. Fuqia e tyre financiare dhe projekti i tyre ambicioz, mund ta bëjnë më të lehtë transferimin e mundshëm të Camavinga drejt Munich-ut.