Sllovenia është bërë vendi i parë dhe i vetëm në Bashkimin Evropian që ka ndaluar plotësisht eksportin, importin dhe tranzitin e armëve me Izraelin, në një vendim të qartë politik që synon të rrisë presionin ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Ky vendim, i shpallur nga qeveria sllovene të enjten, u justifikua me shqetësimet në rritje për situatën humanitare në Gaza dhe me dështimin e BE-së për të vepruar në mënyrë të bashkuar. Në një deklaratë zyrtare, Lubjana theksoi se masa është në radhë të parë simbolike, pasi që nga tetori 2023 nuk ka lëshuar leje eksporti për pajisje ushtarake drejt Izraelit.
“Ne mbështesim pezullimin e marrëveshjes së asociimit me Izraelin, sanksione tregtare, një embargo të plotë armësh, si dhe sanksione ndaj kolonëve, ministrave dhe përfaqësuesve të qeverisë izraelite që mbështesin dhunën”, deklaroi ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon më 15 korrik në Bruksel.
Përtej simbolikës: çfarë po bëjnë vendet e tjera evropiane?
Disa shtete anëtare të BE-së, si Belgjika, Italia dhe Holanda, kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar tregtinë e armëve me Izraelin, por asnjë nuk ka shkuar deri në ndalim të plotë.
Belgjika ndaloi eksportet e armëve në Izrael pas luftës në Gaza më 2008-2009.
Holanda ndaloi eksportin e pjesëve të avionëve F-35 në shkurt 2024, pas një vendimi gjyqësor.
Italia ka reduktuar ndjeshëm shitjet ushtarake, por nuk ka vendosur një embargo të plotë.
Megjithatë, eksportet evropiane drejt Izraelit vazhdojnë. Disa shtete justifikojnë dërgesat duke pretenduar se pajisjet përdoren vetëm për stërvitje ose nuk përdoren në konfliktin në Gaza. Për më tepër, transferimi i teknologjive me përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak është ende i lejuar në shumicën e rasteve.
Pengesa në nivel BE-je
Një embargo e përbashkët armësh kërkon unanimitetin e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së diçka që duket e pamundur në kushtet aktuale. Vende si Gjermania, Hungaria dhe Republika Çeke, të cilat mbështesin fort Izraelin, pritet ta bllokojnë çdo iniciativë të tillë.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA mbetet furnizuesi kryesor i armëve për Izraelin, me më shumë se 66% të importeve, ndërsa Gjermania dhe Italia renditen në vendin e dytë dhe të tretë.
Në mungesë të konsensusit evropian, Sllovenia vepron e vetme. Vendimi i saj është një sinjal politik për të tjerët, që në mungesë të unitetit në Bruksel, mbetet në dorën e shteteve individuale të vendosin për tregtinë e tyre me shtetin izraelit.