Ylli anglez, Phil Foden ka ndarë mendimin e tij të sinqertë mbi biznesin e transferimeve të Manchester City deri më tani këtë verë.
City përjetoi një sezon të dështuar gjatë 2024/25 pasi përfunduan pa trofe, duke bërë që këtë verë të ndërhyjnë duke kryer transferime të mëdha si Tijjani Reijnders, Rayan Cherki, Rayan Ait-Nouri dhe James Trafford.
Këto përforcime si duket e kanë kënaqur edhe yllin e Cityt, Foden, i cili i ka cilësuar si të nevojshme pas një sezoni jo të mirë.
“Është e nevojshme pas sezonit të kaluar, duke sjellë lojtarë të freskët dhe lojtarët e rinj që kanë luajtur mirë. Ata janë ambientuar shumë shpejt”, ka thënë fillimisht Foden.
“Të gjithë mund ta shohim cilësinë e tyre nga Kupa e Botës për Klube dhe atë që i sjellin ekipit. Ne kemi një skuadër të madhe për momentin, por mendoj se është padyshim e nevojshme”.
“Gjithmonë vjen një kohë kur çdo klub duhet të shtojë lojtarë të rinj dhe të freskojë gjërat dhe ne e kemi bërë këtë në këtë afat kalimtar”.
Sipas tij, përforcimet nuk janë vetëm për të shtuar emra, por për të sjellë cilësi konkrete.
“Kjo mund të jetë vetëm mirë për ne, pasi lojtarët që kemi sjellë janë të nivelit shumë të lartë dhe përshtaten shumë mirë me ekipin, duke na dhënë diçka që na duhet pak më shumë, kështu që jemi këtu për të ndihmuar dhe tani kemi një skuadër shumë të mirë”, përfundoi anglezi.