Milani rihap dosjen e rinovimit për Mike Maignan.
Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, drejtuesit kuqezinj po punojnë që “t’i shkrijnë akujt”, pas zhgënjimit të portierit për një premtim që nuk u mbajt.
Zgjatja e kontratës deri në vitin 2028, me opsion për 2029 dukej punë e kryer, por nuk u konkretizua kurrë. Ai që e ka ndezur sërish dialogun është ardhja e Massimiliano Allegrit, i cili ka rikthyer entuziazmin në ambientin kuqezi, së bashku me kontaktet e para pozitive mes drejtorit të ri sportiv Igli Tare dhe përfaqësuesve të Maignan.
Në dhjetor 2024, agjentët e Maignan kishin arritur një marrëveshje me Furlani dhe Moncada për rinovimin me rritje page, nga 3 milionë euro neto aktualisht, në 5 milionë, plus bonuse. Mungesa e kualifikimit në Ligën e Kampionëve i prishi të gjitha planet; asnjë firmë, asnjë njoftim, ndjesia e një tradhtie dhe hipoteza e largimit. Sidoqoftë, kjo ide u hodh poshtë kur trokiti në derë Chelsea. U hodh poshtë nga Milani, por edhe vetë portieri francez, i cili me ardhjen e Allegrit dhe Tares ka filluar ta rishikojë të ardhmen e tij kuqezi.
Qëllimi është të rikthehen bisedimet pas përfundimit të merkatos verore, përshtypja është se sot rinovimi nuk konsiderohet më utopi. Maignan ka ende një vit kontratë dhe përfiton nga “dekreti i rritjes”.
Për më tepër, në rast largimi të tij, Milani do të duhej të investonte të paktën 25–30 milionë euro për një zëvendësues të denjë. Të gjithë këto janë elementë që i dërgojnë kuqezinjtë drejt rinovimit.