“Dorëzohuni”- Si u vranë në bazën ilegale “Tre heronjtë” në Shkodër më 22 qershor 1942! Lutja për familjarët

- Bota Sot

“Dorëzohuni”- Si u vranë në bazën ilegale “Tre heronjtë” në Shkodër më 22 qershor 1942! Lutja për familjarët

Të gjithë kalimtarët që shkojnë drejt fshatit të stolisur të Vajzës, dhe për të vizituar të gjithë atë krahinë dhe lokalin antik, shkuar atyre të Europës; ”Shpella e Vajzës”, me bukurinë e rrallë e ngritur në ambientin mes ujit, rrugës së asfaltuar dhe shkëmbit shekullor, ku vijnë e çlodhen vizitorë edhe nga bota, mbajnë këmbët edhe përpara dy tribunëve, bijë të këtij fshati, të Vlorës dhe të vendit; Poetit me fame; Ali Asllani dhe heroit; Perlat Rexhepi, dy bijë të Vajzës!

Edhe pse kanë kaluar vite e vite; poeti i shquar Ali Asllani, ish kryebashkiaku i parë i Vlorës, vargjet e tij me klithma dite për të djeshmen, dhe të nesërmen, u kumbojnë fort dhe apelojnë çdo shqiptari në shpirt me dhimbjen e thellë shpirtërore:

Sidomos ju dredharak

Ju me buzët aq të nxira…

Fshati Vajzë, vendlindja e Ali Asllanit dhe e Perlat Rexhepit, por edhe i dy ish-ministrave; Lavdosh Ahmetaj dhe Maliq Sadushit. Ali Asllani mbeti i përjetshëm, në altarin e historisë dhe të letërsisë, me kryeveprën e pavdekshme “Koha e maskarenjve”.

Fshati Vajzë, fshati i barrikadave, rrëzë Beunit historik, nën kreshat e malin “Tartar”, mban të shënuar në historinë e vet ngjarje dhe data historike, bij që i kanë dhënë e lenë vepër e emër, jo vetëm këtij fshati, por edhe historisë së vendit…

Aty u zgjodhën dhe drejtuesit kryesor, komandantët që do të organizonin e drejtonin veprimet luftarake, në ç’do zonë, në luftën çlirimtare, të pabarabartë, sipas planit të Komisionit Ushtarak, ishin caktuar të vepronin në drejtim të Vlorës. Në Beun u ngrit flamuri shqiptar.

Vargjet e largëta të poetit Ali Asllani, vijnë të afërta, me klithma për këdo e kudo…

”E, pra ti, o perëndi,

pse na lë në dorë të djallit?”…

Çdo kalimtar teksa i dëgjon, hap sytë e mban këmbët, sidomos në rrugën që përshkon për në thellësi të Labërisë, nyja lidhëse e vjetër, që lidhte Vlorën me Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin e shkonte deri në Selanik e Stamboll, nëpërmjet Sevasterit. Kalimtarët ndalin qëndrimin dhe ngulin vështrimin në fshatin Vajzë, “porta” e krahinës së “Kudhës Grehotit”, mbajnë frymën, qëndrojnë në drejtqëndrim përballë dy figurave të ndritura dhe të ngritura të Labërisë, Vlorës dhe të vendit: pendartit; Ali Asllani dhe pushkëndriturit; Perlat Rexhepi, përkrah njëri-tjetrit!

Njerëzit largohen nga bota e të gjallëve, por veprat mbeten të gjalla, në përjetësi, burim përfaqësimi dhe frymëzimi për brezat vijues!… Ismail Qemal, Bej Vlora, pas shpalljes së Pavarësisë e ngarkoi Ali Asllanin me detyrën historike të sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës së Këshillit të Ministrave, detyrë të cilën e kreu deri më 22 janar të vitit 1914. Detyra të rëndësishme dhe të besueshme i janë ngarkuar atij burri të ndritur, ku në cilindo pozicion shkelqente: Aftësia, besnikëria, zotësia, dhembshuria, ndjeshmëria, atdhetaria etj., të cilat e merrnin frymëzimin dhe bekimin nga shpirt- poezia e poetit të famshëm.

Prej vitit 1918 e deri në vitin 1920, poeti Ali Asllani zgjidhet kryetar i Bashkisë Vlorë. Gjithashtu, në vitet 1934- 1939 ishte përsëri kryebashkiak i qytetit të Vlorës.

*Vepra e tij poetike u bë e njohur edhe me ”Hanko Halla”.

Vargjet e tij satirike, të formuluara dhe të gdhendura si me daltë, zbutnin paksa edhe shpirtin e egërsuar të lexuesit”:

Hanko Halla isha, Hanko halla jam,

Halë në sy u kisha, halë në sy u kam…

*Vajza dhe Vlora kanë qenë shtëpia e shenjtë e poetit, vatrat e zjarrit ku kanë lindur e janë gatuar edhe poezitë e tij.

“Vlorë tungjatjeta”

Andej Qaf’e Topit, hedhur si sorkadhe,

Këtej Kuzbabaja, një uratë e madhe,

Mu në mes të tyre, shtrihet një qytet,

Shtëpi e shqiponjës, për eternitet,

Vlorë tungjatjeta, vend i mrekullive,

Maten me Sazanin, degat e ullinjve.

*Aq aktuale, drithëruse dhe apeluese janë vargjet e poetit rebel, kur sheh gjendjen e sotme, hatanë, greminën e nesërme, të shkruar me aq art e largpamësi, në vazhdën e veprës së tij:”Hakërrrim”

A dini që fitimi,

brenda katër vjet mizor,

nuk është yti nuk është imi,

është i kombit arbëror.

Është i syrit me lot mekur,

është i vendit djegur pjekur,

Ju do to thoni si të doni…

po e drejta dërmon hekur.

*Poeti Ali Asllani, i lindur në fshatin Vajzë në vitin 1882, u largua nga bota e të gjallëve në vitin 1966, duke mbetur i përjetshëm, në altarin e historisë dhe të letërsisë, mes të gjallëve, me veprën e tij të pavdekësisë dhe me: “Koha e maskarenjve”, etj.. I selitur si një mjeshtër i rrallë edhe i poezisë lirike, me adhurimin dhe pasionin e pashoq djaloshar, i ka thurur vargje pa fund vajzës, zonjë e bukuroshe, që sheh me bisht të syrit, pret ankthmbuluar tek dera, vajzës nurndritur, te burimi, në rrugë, duke e quajtur atë: flutur, pëllumbme bisht të syrit, pret ankthmbuluar tek dera, vajzës nurndritur, te burimi, në rrugë, duke e quajtur atë: flutur, pëllumbeshë, sorkadhe e Shullërit:

Kush të paska rritur, kush të ka selitur,

Trupi ytë i bukur, si flori i situr

Në je ndonjë hije, një hije hyjnore,

Kthemë zemrën time, zemrën që më more…

 

Dhe vasha bukuroshe, nazemadhe i përgjigjet:

Është dritë e diellit, është dritë e hënës.

Më shumë nga të gjitha, është sisa e nënës!…

Shpirti revoltues i poetit rebel lab, i pa pajtueshëm me ligësitë, paudhësitë e padrejtësitë, i vë në majën e pendës, si në grykën e topit; abuzuesit, të pa udhët, zullumqarët, grabitqarët, hileqarët dhe hileqarët edhe në: ”Dasma e Radhës”:

E pra ti, o perëndi, pse na lë në dorë të djallit,

që na shtyp na përtyp, nëpër nofulla të çakallit!

Ka popuj, kombe të emancipuar dhe civilizuar që i shenjtërojnë poetët, talentet i duan shumë, sakrifikojnë për ata, ndërsa popujt dhe kombet, politikat, qeveritë demode, të inkriminuara, të pa zhvilluara; ngërtheshen, gëzohen duke i dhunuar, munduar e stërmunduar këta yje të shoqërisë, për t’i zbehur yjet, për të lartësuar xixëllonjat, për të zëvendësuar shqiponjat me laraskat, duke ju shkaktuar dhimbje të pa fundme këtyre njerëzve që vuajnë edhe dhimbjet e të tjerëve, e kurrë s’u shkaktojnë dhimbje të tjerëve…

Dhe kur largohen nga bota e të gjallëve këta ndriçues, frymëzues e udhërrëfyes të shoqërive, turren t’u referohen, u lartësojnë veprën, për të përfituar sadopak nga vepra e tyre, të pa vlerët!

Pyeta Labërinë…

Vargjet klithma të poetit vajziot, Ali Asllani edhe për heroin, po vajziot, Perlat Rexhepi, mbeten epokale, kë nuk rrënqethin, teksa i lexon, shënon dhe kurrë si harron:

“Pyeta Labërinë, e ku është Perlati,

Kombi ulërinë, më shumë se i ati.

Pyeta djalërinë, ç’e bët shokun, mikun?

Nder për Shqipërinë, vdekje për armikun.

Tani tinë dhe unë, e dim për Perlatin,

Djep kishte Beun, varr ka Rozofatin!…

Perlat Rexhepi dha jetën e tij për Shqipërinë, duke luftuar si trimat, biri i denjë, i lavdishëm i fshatit Vajzë të Vlorës dhe i gjithë Labërisë.

AKTI HEROIK

Akti heroik i Perlat Rexhepit, është i pa shëmbullt, ka një shkëlqim sipëror në gjerdanin e artë të historisë së luftës çlirimtare, i cili së bashku me heronjtë e Shkodrës; Branko Kadia e Jordan Misja, ranë heroikisht në “Shkodrën Loce”!

Perlati lindi më 25 tetor të vitit 1919, në fshatin e barrikadave Vajzë; rrëzë “Beunit”, në një familje të njohur, me tradita patriotike, aty ku u mblodhën burrat e ndritur, në “Kuvendin e Beunit”. Prindërit e tij, gjyshi e stërgjyshi, janë nga ai fis i fisëm, që nuk e kanë ndarë mendjen dhe shpirtin asnjëherë nga atdhedashuria. Ata në breza kanë qenë të dijes, të pushkës dhe të penës… Rexhep Sulejmëni, babai i Perlatit, njihet në gjithë trevën e Labërisë e më gjerë si një nga patriotët e spikatur, bujar, me zemër të madhe, i mençur, me vizion të gjerë e shumë trim. Ai kishte studiuar në Austri, ku kishte marrë dhe diplomën e mjekut. Rexhep Sulejmani, ishte një ndër figurat më të shquara, pjesëtar aktiv në “Luftën e Vlorës”, më 1920. Si shumë patriotë vlonjatë, mori pjesë e luftoi si burrat në revolucionin “demokratiko-borgjez”, që udhëhiqte Fan S. Noli. Pas këtyre ngjarjeve, detyrohet të marrë arratinë me gjithë familjen dhe vendoset tek miqtë e tij, në ishullin e Korfuzit, për t’i shpëtuar persekutimit të regjimit zagollian, si kundërshtar politik. Perlati atë kohë ishte vetëm 5 vjeç. Në moshën 6 vjeçare, filloi shkollën fillore, ku mësonte midis nxënësve grek, në gjuhë të huaj, me mësues grek dhe italian. Perlati fliste, shkruante dhe komunikonte me mësuesit grek e italian, pa asnjë pengesë e dallim, madje dhe mbi të tjerët. Pas shumë përpjekjesh të atit, Perlati vazhdoi rrugën e dijes në shkollën “Tregtare” të Vlorës, në klasat përgatitore, siç quhej, semimaturë, ku vazhdoi dy vjet e më pas studimet e plota për 6 vjet.

PUSHTIMI I VENDIT

Edhe aty ra në sy veprimtaria e tij atdhetare dhe e përjashtojnë nga shkolla. Më pas i ati i tij i mundësoi shkollimin për gjeometër, në shkollën “Teknike”, ku studionte dhe libra jashtë shkollore, si romanin: “Nëna” e Maksim Gorkit, “Puna me mëditje, si dhe gazeta e revista të huaja, të botuara jashtë vendit nga Halim Xhelua. Ai lexonte Naimin, Çajupin, “Historinë e Skënderbeut”, si dhe poetin me famë, Ali Asllani, gjigandin e poezisë edhe ky bir i fshatit Vajzë. Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939, solli dhe mbylljen e shkollave, po edhe përndjekjen e Perlatit, i cili për t’i shpëtuar, vendoset në vendin më të afërt, në Mali i Zi, pa asnjë ndihmë ekonomike fal, bujarisë së shqiptarëve aty, qëndroi në shtëpitë e tyre 3-4 muaj, me shpenzimet e tyre.

Perlat Rexhepi, gjithnjë ishte prezent, midis njerëzve të punës, po dhe në ballë të aksioneve. Dyshimet e drejtuesve bën të largonin Perlatin nga qyteti i Vlorës për në zonën e Sevasterit, gjoja për të projektuar rrugën e re, që fillonte nga Peshkëpia, Gorishti e Dushkaraku, për të dalë në Memaliaj, përgjatë buzë Vjosës. Perlatin me shokët e tij aty i kishin thirrur e paralajmëruar nga kuestura. Dhe kjo arsye bëri të transferohej më pas në Shkodër. Zyra e gjeometrit nga Vlora, në Shkodër e bashkoi me shumë njerëz të mirë, në punë dhe jashtë sajë. Shumë shpejtë u bë i njohur jo vetëm si specialist, por dhe si njeri me njohuri të thella

NGJARJA NË SHKODËR

Në Shkodër Perlatin e donin dhe respektonin, jo si jabanxhi, por dhe si i ardhur nga Vlora e Pavarësisë, së Flamurit. Ai së bashku me Jordan Misjen, strehohej në shtëpinë e këtij të fundit. Shokët e këshillonin, të ruhej, madje nuk i flisnin as në emër, po e thërrisnin me pseudonim “Tarzani”. Ai fliste shumë rrjedhshëm në dialektin shkodran. Perlatit i ngarkuan të kryenin një aksion për djegien e kuesturës fashiste. Këtë aksion e mori me shumë dëshirë përsipër me njësitin gueril. Në kohën kur Perlati i fliste rojës, shokët e tij hodhën lëndën ndezëse dhe i vunë flakën kuesturës. Në moment kuestura mori zjarr. Fashistët u tmerruan dhe u alarmuan, ndërsa guerilasit u larguan me shpejtësi, pa pësuar asnjë gërvishtje. Ky aksion u kalli frikë, panik e pasiguri forcave pushtuese dhe ngriti më lartë moralin e popullit, si dhe krijoi besim tek forcat çlirimtare, se po i dilnin për zot vatanit. Ndonëse ishte i maskuar, duke ndryshuar edhe veshjen, patrulla e policisë e pikasi dhe i kërkuan të ndalte. Ilegali e ndjeu rrezikun dhe shtoi shpejtësinë, për t’i shpëtuar kapjes. Patrulla hapi zjarr duke e plagosur. I plagosur, shkoi në bazën ilegale, në shtëpinë e nënë lagjes, në Dobraç, patriote shkodrane. Edhe i izoluar, në bazë mori vesh se; ishte vrarë shoku i tij, i të njëjtit ideal: Qemal Stafa. U prek thellë, u pikëllua pa masë.

Pas 20 ditëve të regjimit, vendosi të dilte dhe më vështirësi kaloi nëpër rrugët e rrugicat, shkoi te shtëpia e Jordan Misjes, në lagjen “Firaj”, sot lagjja “Tre heronjtë”. Por syri i shitur i spiunëve e kishte zbuluar, kishin informuar autoritet fashiste. Në shtëpinë e Misjave, përveç Perlatit e Brankos, ndodheshin edhe 2-3 shokë të tjerë, dhe gjithë familja e Jordanit. Në orën 4:00 të mëngjesit filluan lëvizjet, zhurma e trupave. Thirrjet alarmuese, trokitje tek porta dëgjohen: “Hapeni se jeni të rrethuar!”. “Dorëzohuni!”. “S’kini nga të dilni!”

Në momentet më të rënda, trimat nuk e humbën toruan. Të tre i kërkuan nënës, bashkë me vëllain e motrën e Jordanit, të dilnin nga shtëpia. Ata do të luftonin, nuk do të dorëzoheshin të gjallë! Tre heronjtë kishin një shqetësim: Së bashku me ta kërkonte të vdiste edhe familja e Misjave. Pas shumë lutjesh e kërkesash të Perlatit, nëna bashkë me djalin e vajzën, u detyruan të pranonin, me zemër të copëtuar, me lot në sy, të bënin ndarjen e përjetshme, t’i linin luftëtarët e lirisë, të binin heroikisht në shtëpinë e Misjave. Në orët e para të mëngjesit, një avion fluturonte në ultësirë, mbi qytet, mbi shtëpinë e rrethuar. Vendi u ndez flakë nga krismat e armëve, nga brenda e jashtë shtëpisë, bombat shpërthenin pa pushim. Zjarri nga të gjitha anët, rrëzoi për tokë trimin Branko Kadia. Tani mbetën dy. Perlati me Jordanin. Shoku i tyre u nda. Ai ishte dëshmori i parë i kësaj kështjelle. Perlati luftonte, shtëpia ishte përfshirë në flakë. Jordani kishte marrë plagë, nuk lëvizte, flaka i mori gjithë trupin. Ndihma ishte e pa mundur. Perlat Rexhepi, po luftonte me guxim, pa u ndalur, duke mos i pasur më shokët e idealit pranë. Po zbraste dhe fishekun e fundit, me të cilët luftoi për 6 orë rresht. Trimi nga Labëria, edhe në sekondën e fundit të jetës, thërriste: “Poshtë fashizmi”, “Rroftë Shqipëria”! Legjendari Perlat Rexhepi, me vetëdijen e tij shkoi drejtë sakrifikimit të jetës. Poeti shkodran ka kënduar me pathos Heroit vlonjat:

Perlat fol nji fjalë,

Shpirti sa pa t’dalë…

Figura të tilla, si një rast i rrallë, dy bij nga një fshat: Heroi i pushkës dhe poeti i pendës me famë kombëtare, kryebashkiaku simbol i Vlorës, dhe i vendit, ku ishin të mpiksura: Poezia, aftësia dhe mirësia, arti për të drejtuar Bashkinë e Parë, duke u rënë kryq e tërthor rrugëve me një karro, si qytetar, drejtues dhe poet. Ali Asllani mbetet i shënuar, si një shenjtor dhe shërbëtor edhe për veprën e tij poetike: “Koha e maskarenjve”, me tingëllimet aktuale, etj..

“A e dini që fitimi,

brenda katër vjet mizor’,

Nuk është yti nuk është imi,

është i kombit arbëror”…

NË RRJEDHËN E KOHËS…

Fshati Vajzë ka nxjerr edhe 2 ish-ministra, të ish-sistemit, burra të nderuar për vendin: Lavdosh Ahmetaj dhe Maliq Sadushi. Por dhe kontribues, luftëtarë të lirisë, drejtues me zë si: Rexhep Sulejmëni, Laze Sulejmëni, Piro Rexhepi, Gani Vajza, Xhipe Mersini, Çize Hamiti, Kamo Tare, Sali Mezini, Daver Elezaj, për shumë vite kryetar i Kooperativës, si dhe pasardhës në detyrat drejtuese, Myfyt Zaçe, Qemal Bilbilaj, Gëzim Çobaj, Patriot Çobaj, etj. Njihen si vazhdues e pasardhës nga fshatit i pendës: Luan Rexhepi, Riza Çize, Mynyr Hanaj, Lefter Hitaj, Kristo Hitaj, Erjon Habilaj, Lilo Çobaj. Sokrat Habilaj; (i ndjekur dhe nga djali i tij- Erjoni) ndër pendat e denja, i cili ka publikuar edhe në ish-gazetën ”Zeri i Vlorës”, i shpalosur për talentin e tij, në publicistikë, por edhe në poezi është njohur nga lexuesi, duke zënë vend edhe në faqet e librit: ”Bij të Vlorës”.

Bij e bija vajziote, të njohur i kanë ruajtur emrin dhe zbardhur faqen vendlindjes, Vajzës shënohen edhe: Besnik Elezi, Tasim Sheraj, Xhevair Hanaj, Agim Çobaj, Gjon Vajza, Sokol Sadushi, Natasha Sheraj, Fadil Caushaj, Sinan Sinanaj, Luan Murataj, Fadil Sheraj, Imer Caushaj, Pandeli Bilbilaj, Lilo Çobaj, Ahmet Hazizaj, Fredi Hitaj, Agim Sheraj, Jaho Islamaj, këngëtarja Fiqirete Kapaj, djemtë e lokalit të rrallë, “Shpella Vajza”, vëllezërit; Çlirim, Leonard e Taulant Hitaj etj. Këta bijë, pasardhës fisnikë e trashëgojnë, e transmetojnë, po dhe e pasurojnë fisnikërinë e Vajzës, nën kreshta e Beunit. Dhe sa herë shkojmë nëpër udhët e udhëtimeve tona të jetës, dhe aty ku kemi punuar e jemi miqësuar me bijtë e bijat e krahinës, me djemtë e Fredit, ish miku i rrallë i yni: Çlirimi, Leonard e Taulant Hitaj etj., do na presin si mikun te miku i shtëpisë, qysh nga gjyshi i tyre xha Taipi, ish-postieri e postës së Sevasterit. Dhe kur shkuam kohë më parë për ceremoninë e dhënies së titullit “Dëshmorit të policisë”, birit të shënjtë të Shkozës; Naim Hyskaj, dhe në kthim u kthyem për kafen e lodhjes për t’u çlodhur me përfaqësuesit e Institucionit të M. Brendshme, kur na pa Çlirimi edhe tavolinës i shkëlqeu me gjestin e tij se “shpenzimet” i ka shlyer ky miku ynë dhe juaj, duke na përqafuar neve!

Nga fshati Vajzë kanë dalë edhe shumë shoferë, qysh në ditët e para të çlirimit të vendit, sa i quanin: “Batalioni i shoferëve të Vajzës”, në ish-parkun automoblistik të- Vlorës si: Ymer Ymeri, Temo Çobaj, Selim Ahmetaj, Yzedin Ymeri, Hano Zagolli, Durim Bellaj, të përzgjedhur dhe të dalluar në transportin e udhëtarëve Vlorë.

Shoferë të tjerë shënohen, si në parkun e naftës: Pajtim Hanaj, Ismet Hametaj, si dhe Hiqmet Hitaj, Sulçe Sulçaj …. bij të zot dhe të zot edhe për timon… Në Vajzë ka lindur edhe një njeri i rrallë, për në librin: “Ginnes”. Ai ishte Lamçe Përrallaj, njeriu më 6 gishta në këmbë dhe po me 6 gishta në duar… E kemi njohur nga afër dhe e kemi parë më sy këtë krijesë të rrallë, ndoshta kaloi pa vëmendjen e duhur edhe për këtë veçanti… Vargjet e hershme, me klithma dite të poetit Ali Asllani; kumbojnë dje dhe apelojnë sot dhe për nesër:

*Sidomos ju dredharak,

ju me zemër aq të nxira,

Ju dinak ju shushunja,

ju gjahtar në errësira…



Read it all at Bota Sot