Drita e Gjilanit, kampion i Kosovës, është gati për përballjen me Steua-n në Bukuresht, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë të kualifikueseve në Europa League.
Ndeshja luhet nesër në orën 19.30.
Drita kërkon rezultat të favorshëm në takimin e parë.
“Nesër na pret një përballje mjaft e fortë kundër një skuadre shumë cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari siç është FCSB”, thotë Zekirja Ramadani, kryetrajner i FC Dritës.
Në pyetjen nëse ishte i befasuar nga eliminimi i FCSB-së nga Shkëndija, trajneri Ramadani tha: ’Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij pikërisht nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati sportiv luan rol të rëndësishëm.’
Gjithashtu, Ramadani deklaroi:
‘Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari të fortë, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është e pranishme te FCSB.’
Në pyetjen se si i komenton deklaratat e trajnerit dhe presidentit të FCSB-së, Ramadani u përgjigj:
‘Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll.’
Portieri Faton Maloku shprehet opimistë para lojës së madhe: ““E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Nëse i zbatojmë ato që na ka treguar trajneri, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”.