Daja: Kërkohet kujdes nga mungesa e eksperiencës kundër Hajduk

- Bota Sot

Daja: Kërkohet kujdes nga mungesa e eksperiencës kundër Hajduk

Në prononcimin para ndeshjes me Hajduk Split, trajneri i Dinamos, Ilir Daja e ka vendosur theksin disa herë te mungesa e eksperincës që ekipi i tij ka në të tilla nivele. Më tej, ai ka shtuar se është i kënaqur edhe me një barazim, çka do ndikonte edhe në moralin e grupit për ndeshjen e kthimit, e cila do mbahet në Shqipëri pas një jave: “Ne e dimë që nesër kemi një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie, për shkak të traditës të Hajdukut jo vetëm në futbollin vendës, por edhe për eksperiencën në kompeticionet europiane.

E dyta sa i përket vështirësisë, është se kanë një mbështetje nga një publik që i mbështet gjatë gjithë ndeshjes, por ndonjëherë vështirësitë të bëjnë më të fortë dhe do të mundohemi të tregojmë vlerat më të mira përtej tyre.

Sigurisht si favoritë, duke listuar këto gjëra, është Hajduku. Kohët ndryshojnë, siç ndryshojnë ekipet, nga eksperienca ime personale në Kroaci, kundër Dinamo Zagrebit, kam një bilanc me një fitore, një humbje dhe dy barazime.

Por siç ndryshojnë kohërat në të cilat janë zhvilluar përballjet, ashtu ndryshojnë edhe ekipet, sidomos në periudhën e verës që është periudhë merkatoje. Ama gjithmonë në përballje që kemi pasur, të paktën unë si trajner, gjithmonë kanë qenë të bukura se Kroacia zhvillon futboll shumë të bukur. Po ashtu edhe Hajduku që është një nga ekipet me më shumë histori në Kroaci. Ne kemi analizuar Hajdukun, duhet të jemi të përqendruar që përveç aspektit taktik si grup, duhet të jemi të përqendruar edhe për faktin se Hajduku në përbërje ka lojtarë cilësorë që nëse e humbet përqendrimin, mund të të dëmtojnë nga momenti në moment.

Unë mendoj se do të kemi vështirësi në të dy fazat e lojës, sepse e tregova kush është Hajduku për ne. Kjo do të thotë që ne duhet të kemi shumë kujdes edhe për faktin se ka lojtarë të shpejtë dhe mund të na dëmtojnë në sulmin e shpejtë apo kundërsulmin. Por mendoj që në linja të përgjithshme duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe në bllok nesër për të shmangur edhe cilësitë individuale që kanë lojtarët e Hajdukut. I kënaqur me 0-0? Sigurisht që një rezultat në barazim do të ishte një rezultat pozitiv për ne, sepse besoj që do na jepte moral që në ndeshjen e kthimit të prezantohemi edhe më mirë në vendin tonë.

Nuk është se ia dhashë unë statusin e favoritit Hajdukut, e ka vetë historia e kundërshtarit, edhe pse ne jemi klub me histori në vendin tonë. Por në prezantimin në Europë, Hajduku është me 200 e ca ndeshje në të gjithë kompeticionet në historinë e tij.

Dhe ne kemi disa vite që nuk luajmë në Europë. Kjo do të thotë që mungesa e kësaj eksperience, duhet të zëvendësohet. Me një motivim jo, sepse e dimë që nesër lojtarët do të jenë të motivuar nga ekipi kundërshtar dhe ambienti. Por të shmangim pjesën e moseksperiencës, duhet të japim më shumë se maksimumi ynë gjatë këtyre 90 minutave”, u shpreh trajneri Daja.



Read it all at Bota Sot