Skënderbeu ka arritur një fitore të pastër 0-2 në miqësoren e zhvilluar në Pogradec, duke treguar formë të mirë në prag të sezonit të ri. Testi nisi në orën 17:30, një takim me mjaft interes për tifozët në shkallët e stadiumit “Gjorgji Kyçyku”, edhe pse ishte thjesht një ndeshje miqësore.
Dhjetë minutat e para janë të qeta për të dyja skuadrat, ku Skënderbeu përpiqet disi më shumë, por pa rrezikuar portën vendase, ndërkohë që liqenorët thuajse kanë zgjedhur të luajnë më shumë në prapavijë. Duhet të vinte minuta e 11-të që Skënderbeu, me një zbritje të shpejtë në krahun e majtë, ta çonte topin në hyrje të zonës së Pogradecit. Janaqi goditi fuqishëm dhe përshëndeti rrjetën, duke kaluar Skënderbeun në avantazh 0-1.
Ka festë te bardhekuqtë për golin e avantazhit, ndërkohë që tre minuta më pas, janë pogradecarët që krijojnë rastin e parë. Sodiq Kazim, nga e djathta, godet drejt portës, por Marko Alia pret pa vështirësi.
Në minutën e 22-të vjen një tjetër rast për Pogradecin. Pas një krosimi në zonë, Sodiq godet me kokë, por topi kalon ngjitur me traversën e portës së Alias, duke shpëtuar kështu Skënderbeun.
Në minutën e 35-të, Pogradeci humbet rastin ideal për të barazuar. Kazim i shpëton mbrojtjes, del përballë portierit Alia, godet, por “gardiani” i Skënderbeut bën një pritje vendimtare, duke shmangur një gol të sigurt. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Skënderbeut.
Pjesa e dytë nis me ndërrime nga të dy ekipet. Loja mbetet e qetë dhe e vakët deri në minutën e 60-të, me mungesë rastesh në të dyja portat. Në minutën e 61-të, Tajo për Skënderbeun ka mundësinë të dyfishojë, por pas një prekjeje të gjatë të topit në zonë, portieri Staniç shpëton portën vendase. Në minutën e 73-të, Skënderbeu shënon golin e dytë. Rodriges, në përpjekje për t’ia kthyer topin portierit Staniç, gabon me kokë dhe e dërgon atë në rrjetë për 0-2.
Dy minuta më vonë, Nasr në zonën e 5-metërshit gjuan diagonalisht, por portieri pogradecar shpëton sërish duke devijuar në goditje këndi. Deri në fundin e takimit nuk ka raste të tjera, përveç disa gabimeve nga të dyja skuadrat, dhe përfundimisht Skënderbeu fiton pastër 0-2 në transfertën e Pogradecit, duke bindur me lojë dhe rezultat.
Pogradeci-Skënderbeu 0-2
GOLAT: Janaqi 11’, Rodrigues 73’ (aut)
Pogradeci: Staniç, Zguro, Kasmollari, Samake, Sallo, Kazim, Markoçi, Gjoni, Danaldi, Lila, Rodriges (U aktivizua: Raza, Merkolaj). Trajner: Ardian Mema
Skënderbeu: Alia, Randi, Vaskez, Shaqe, Vangjeli, Janaqi, Estrela, Abubakar, Nasr, Ukiçi, Tajo. (U aktivizuan: Dervishaj, Zenullari, Gjini, Kamelu, Gift, Emanuel, Korçari, Hasa, Nasto). Trajner: Ernest Gjoka