Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një takim të zgjeruar me drejtuesit e ushtrisë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë, për të diskutuar planifikimin dhe prioritetet e sulmeve të thelluara ndaj objektivave ushtarake brenda territorit rus.
Përmes një postimi në Facebook, Zelensky e cilësoi këto sulme si “përgjigje të drejta ndaj agresionit rus kundër territorit ukrainas”.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të Forcave të Armatosura, Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), Ministri i Mbrojtjes dhe Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes. U prezantuan të dhëna që tregojnë efikasitetin e operacioneve ukrainase në territorin rus, duke përfshirë analizën e dëmeve të shkaktuara dhe ndikimin mbi makinerinë ushtarake ruse.
“Analizuam dëmet e shkaktuara, koston dhe efektin e sulmeve, si dhe ndikimin në sistemin ushtarak të agresorit”, tha Zelensky, duke shtuar se prioritet mbetet rritja e efikasitetit të armëve me rreze të gjatë veprimi.
Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se këto operacione kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake ruse, përfshirë depot e municioneve, bazat logjistike dhe pikat nga ku nisen sulmet ndaj Ukrainës.
“Rusia ka pësuar goditje serioze në ekonominë ushtarake, në linjat e furnizimit dhe në pikat e lëshimit të sulmeve ndaj vendit tonë. Çdo përpjekje për ta zgjatur këtë luftë do të ketë koston e vet”, theksoi Zelensky.
Në fund, ai falënderoi të gjithë ata që kontribuojnë në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës dhe vendosi prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së mbrojtjes. “Jam krenar për ushtarët tanë!”, përfundoi ai.