Klubi i Vorës ka bërë një tjetër lëvizje domethënëse në merkaton e verës, duke afruar një emër premtues për repartin ofensiv. Bëhet fjalë për Dario Dakën, sulmues i ri që aktualisht është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe që shihet si një lojtar me të ardhme të ndritur.
Daka vjen nga akademia e njohur italiane të Leçes, klub me të cilin ka firmosur kontratë dhe ku është formuar si futbollist. Ai ka qenë pjesë e ekipeve të moshave dhe ka përjetuar nga afër ambientin e elitës së Serisë A, duke qenë disa herë në pankinën e ekipit të parë.
Në sezonin e kaluar, ai u aktivizua në formë huazimi te Trapani, ku fitoi eksperiencën e parë në futbollin e të rriturve.
Tashmë, me një profil që kombinon teknikën, qetësinë në lojë dhe instiktin e golit, Daka vjen për të përforcuar skuadrën e Vorës në sezonin e saj të parë në elitën e futbollit shqiptar. Me fanellën kuqezi të U-21, ai ka shënuar një gol, ndërsa më parë ka lënë gjurmë edhe me Shqipërinë U-19, ku realizoi dy herë.
Klubi i Vorës e prezantoi Dakën me entuziazëm, duke theksuar se ai është një investim për të ardhmen dhe një element i rëndësishëm në ndërtimin e një ekipi konkurrues dhe ambicioz për sezonin 2025-2026 në Abissnet Superiore.
“Mirë se vjen Dario Daka!”, shkruan klubi, duke i uruar shumë suksese në aventurën e tij të re me fanellën e Vorës.