KF Arsimi 3 ditë para startit të sezonit prezanton 4 emra të rinj!

- Bota Sot

KF Arsimi 3 ditë para startit të sezonit prezanton 4 emra të rinj!

KF Arsimi vetëm tre ditë para ndeshjes së parë historike në Ligën e Parë maqedonase, ka prezantuar katër emra të rinj..

I pari që prezantuan gjatë ditës, ishte portieri Dejan Siljanovski.

Ky i fundit skuadrës nga Çegrani i bashkohet nga radhët e KF Besa 1976!

Siljanovski është një emër i njohur në futbollin vendor dhe një portier me përvojë të gjatë në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbrojtur ngjyrat e klubeve si: Voska Sport, KF Gostivari, KF Skopje, Makedonija Gj.P., Bellasica, dhe së fundmi KF Besa 1976.

Një tjetër emër që prezantuan sot, është edhe ai i Rinor Ajdinit. Edhe pse i njëjti fillimisht ishte prezantuar me fanellën e FC Shkupit, për shkak ndodhive të fundit te skuadra nga Çairi dhe shumë paqartësive që mbizotërojnë atje, vendosi që të ndryshojë mendje dhe ti bashkohet skuadrës së KF Arsimit,

Ajdini është një lojtar me profil të kompletuar, që përveç mesfushës, mund të luajë me sukses edhe në pozicionin e mbrojtësit të djathtë.

Gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e disa klubeve të njohura si: Rabotniçki, HSK Dragovoljac (Kroaci), Kadino, Teteks, dhe së fundmi KF Gostivar.

Emri i tretë që u prezantua nga drejtuesit e KF Arsimit, është një emër tjetër i njohur për futbollin vendor. Fjala është për Medin Bajramin, i cili për herë të fundit kishte luajtur me fanellën e Rabotniçkit, ndërsa më parë kishte mbrojtur gjithashtu edhe ngjyrat e Voska Sport dhe Renovës.

Bajrami, ndryshe karrierën e kishte nisur në Slloveni te ND Ilirija, për të vijuar më pas edhe te NK Krsko, Drava Ptuj dhe NK Maribor. I njëjti kishte pasur një aventurë të shkurtër edhe në futbollin kosovar, duke luajtur me FC Malishevën.

Me fizikun e tij imponues, përvojën e madhe dhe qetësinë në prapavijë, Medini pritet të sjellë siguri dhe stabilitet në repartin defanziv të verdhezinjve këtë sezon!

I fundit, që firmosi me KF Arsimin gjatë ditës së sotme, ishte sulmuesi nga Mali i Zi, Dejan Peroviç.

22-vjeçari Peroviç te KF Arsimi vjen nga elita e futbollit malazez, konkretisht nga FK Bokelj, ndërsa më parë kishte qenë pjesë edhe e klubeve si OFK Petrovac dhe OFK Grbalj.

Me shpërthimin, instinktin në zonë dhe potencialin e lartë, Dejani pritet të jetë një nga armët kryesore në repartin sulmues të skuadrës nga Çegrani, që ndeshjen e parë historike në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut, do ta zhvillojë të shtunën në transfertën kundër KF Bashkimit në Kumanovë.



Read it all at Bota Sot