Barcelona ndodhet sërish në një krizë regjistrimi të lojtarëve, vetëm nëntë ditë para fillimit të sezonit të ri në La Liga.
Aktualisht, nuk ka asnjë shenjë që Joan Garcia, Marcus Rashford apo Roony Bardghji do të regjistrohen në kohë. Një nga mënyrat për të lehtësuar këtë situatë është përmes shitjeve.
Dukej se shumica e skuadrës dëshironte të qëndronte këtë sezon, përveç disa të rinjve dhe lojtarëve jashtë planeve.
Megjithatë, sipas asaj që raporton Marca, ekziston një mundësi reale që Inigo Martinez të largohet nga klubi.
Sipas burimeve të tyre, tashmë kanë nisur bisedimet mes Barcelonës dhe gjigantëve sauditë të Al-Nassr.
34-vjeçari është i gatshëm të negociojë me Al-Nassr, të cilët kanë paraqitur një ofertë të madhe për të.
Negociatat pritet të përfundojnë në ditët në vijim, në një mënyrë apo tjetër. Nuk është e qartë se çfarë shume mund të përfitojë Barcelona nga kjo marrëveshje.
Gazetari Matteo Moretto ka shtuar në rrjete sociale se Martínez është ‘afër’ një largimi drejt Lindjes së Mesme..