Edita Tahiri: Dell dhe Faith ma ofruan postin e presidentes

- Bota Sot

Edita Tahiri: Dell dhe Faith ma ofruan postin e presidentes

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri në një intervistë për Klan News, hodhi dritë mbi një episod të paditur më parë, ku asaj iu ofrua posti i presidentes nga përfaqësues amerikanë.

Megjithatë, sipas saj, kjo dështoi për shkak të një ndërhyrjeje nga ana e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili, sipas saj, kërkoi ndihmë për të dalë nga gjykata në këmbim të votës për të.

Sipas Tahirit, kjo u refuzua menjëherë nga ShBA, që respekton ndarjen e pushteteve dhe nuk ndërhyn në drejtësi.

Këtë episod Tahiri e zbuloi pasi u pyet nëse kishte shpresë që Amerika do të ndërhynte në procesin e drejtësisë në favor të ish-liderëve të UÇK-së.

“Jo. Asnjëra prej tyre nuk qëndron. Amerika është lider në botë i demokracisë, që i ka të ndara pushtetet. Drejtësinë, pushtetin ekzekutiv dhe Kongresin. Është i njohur parimi amerikan i qeverisjes ‘Checks and Balances’. Kur është çështje e drejtësisë nuk ndërhyjnë”.

“Kam me ta dhanë një shembull nëse kemi kohë. Ishte një kohë në vitin 2010, isha ministre. Ka qenë ambasadori amerikan Christopher Dell bashkë me Pieter Feith, në atë kohë ka qenë Përfaqësuesi Special i BE-së, dhe më thanë që nëse jam e gatshme të pranoj postin e presidentes. Biseduam dhe unë i dhashë përgjigjen dhe iu thashë jam e gatshme”.

“Pastaj më erdhi ambasadori amerikan, hera e parë po e them. Më tha, ‘Edita, nuk kemi mundësi me e shty përpara sepse një prej politikanëve, nuk është këtu por është në gjykatë jashtë, edhe ka kërkuar nga amerikanët, ju më ndihmoni të dal nga Gjykata dhe unë votoj Edita Tahirin’. Edhe më tha ambasadori: ‘A e di Edita se çfarë është për Amerikën që të prekim ligjin apo të ndërhyjmë në gjykatë? Ne për interesat tona është vijë e kuqe’. Haradinaj ka qenë! E qëllove, por nuk po dua të them më shumë”, tha Tahiri.



Read it all at Bota Sot