HNK Vukovar 1991 ka njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me portierin Sërgjan Nediq (18 vjeç), pasi u zbulua se ai kishte ndjekur në Instagram profilin “Çetnici 1941”, i njohur për përmbajtje nacionaliste dhe përkrahje të ideologjisë çetnike.
Fotografia e profilit të kësaj faqeje e ka flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës. Në përshkrimin e kësaj faqeje në çirilicë shkruan “Patriotizëm dhe dashuri për mbretin dhe atdheun. Kosova është Serbi”.
Portieri 18-vjeçar në rrjetet sociale ka kërkuar falje për veprimin e tij, duke thënë po ashtu se nuk ishte i vetëdijshëm për këtë.
“Si një fëmijë 12-vjeçar, i pavetëdijshëm për kuptimin dhe pasojat e aktiviteteve të mia online, ndoqa një faqe përmbajtjen e të cilës as nuk e mbështes sot dhe as nuk e kuptoj se e bëra këtë.
Faqja në fjalë ka qenë joaktive për më shumë se gjashtë vjet dhe që atëherë unë jam rritur dhe ndryshuar – si atlet dhe person.
“Sot në moshën 18-vjeçe, e kuptoj plotësisht pse veprimi im në këtë kohë, tani ka shkaktuar dhimbje dhe zemërim, veçanërisht te klubi dhe qyteti që ka një histori të vështirë dhe të dhimbshme.
“Më vjen keq sinqerisht për atë veprim dhe për gjithçka.
Nuk po kërkoj një justifikim, por një shans për të treguar se sa shumë e respektoj qytetin tim të lindjes, historinë e saj dhe njerëzit e saj.
“Më vjen keq që gjithë kjo situatë u zhvillua në media para se të kisha mundësinë të shpjegoja anën time të historisë.
Unë besoj se sporti duhet t’i bashkojë njerëzit, jo t’i ndajë ata. U kërkoj falje sinqerisht të gjithëve atyre që janë lënduar nga kjo”, është shkrimi i portierit kroat
Nediq pritej të debutonte të premten kundër Dinamo Zagreb, në mungesë të portierit të parë Antonio Dakoviq, i lënduar.
Pas këtij rasti, Nediq nuk do të jetë pjesë e skuadrës.