Sandro Tonali, ëndrra e madhe e Juventusit, vazhdon të jetë objektivi kryesor i klubit bardhezi, edhe pse mundësitë për ta sjellë në Torino janë shumë të vogla.
Në merkato asgjë nuk është e pamundur, tani shpresa e Juventusit është e lidhur me Dusan Vlahovic, sulmuesin serb që mund të largohet nga bardhezinjtë. Ideja është që, duke e ofruar Vlahovic te Newcastle, të krijohet hapësira për të tentuar blerjen e Tonalit.
Që nga pranvera, në ambientet e Juventusit dëgjohet shpesh fraza “na duhet një si Tonali”, sidomos pas dështimit në mesfushë sezonin e kaluar. Tonali është konsideruar si lojtari ideal për t’i dhënë kualitet mesfushës së Juventusit, një futbollist teknik dhe fizik, që mund të përmirësojë ndjeshëm lojën ofensive dhe atë mbrojtëse.
Megjithatë, Newcastle nuk dëshiron ta largojë Tonalin, i cili është blerja më e shtrenjtë e klubit në mesfushë (65 milionë euro, plus bonuse). Edhe ai vetë ndihet mirë në Angli. Sidoqoftë, fakti që Serie A është gjithmonë një “magnet” për italianët, i bën drejtuesit e Juventusit të mendojnë seriozisht për këtë operacion merkatoje.
Newcastle po planifikon largimin e Alexander Isak te Liverpool-i dhe për zëvendësimin e tij kishte dy opsione: Benjamin Sesko, shumë pranë Manchester United, dhe Darwin Nunez, rrugës për tek Al Hilal. Kjo situatë e lë Newcastle në kërkim të opsioneve të tjera, duke e rivendosur në listën e dëshirave Vlahovic.
Nëse klubi anglez tregon gatishmëri për blerje, Juventusi do të përpiqet të përfshijë në negociata Tonalin, jo thjesht me një shkëmbim lojtarësh, por edhe duke futur në paketë Douglas Luiz ose Nicolò Savona, plus kompensim financiar për Newcastle, sepse vlerësimet e lojtarëve janë të ndryshme.
Përveç Tonalit, Juventusi po ndjek edhe emra të tjerë për mesfushën si Yves Bissouma (në largim nga Tottenham), Morten Hjulmand nga Sporting, Matt O’Riley nga Brighton, Franck Kessie (ish-milanist, tani në Arabinë Saudite) dhe Sofyan Amrabat nga Fenerbahçe. Gjithashtu ka interes për Bryan Cristante të Romës, me mundësinë e një shkëmbimi me Weston McKennie.
Në përgjithësi, Tonali mbetet objektivi kryesor dhe ëndrra e Juventusit për mesfushën, klubit bardhezi nuk i mungon gatishmëria për të bërë edhe sakrifica financiare për ta arritur atë. Për momentin gjithçka mbetet në fazën e planeve dhe negociatave, që mund të ndryshojnë deri në përfundim të merkatos.