Trajneri i Hajduk Split, Gonzalo Garsia, ka deklaruar se është i kënaqur me mënyrën se si luajti ekipi i tij përballë Dinamos, por jo nga rezultati.
Sipas teknikut spanjoll, fitorja 2-1 në fakt duhet të ishte më e thellë, pasi kështu ka lënë hapur mundësinë për ekipin shqiptar, të cilin ai e pret të jetë më kërkues në ndeshjen e dytë.
“Jam i lumtur me mënyrën si luajtëm, por jo me rezultatin. Ne duhej të shënonim disa gola të tjerë. Nuk u ndalëm, kërkuam një gol të tretë.
Ndoshta ishim pak të lodhur pasi kemi luajtur shumë ndeshje ku na është dashur të japim gjithçka.
Reagimi pas golit? Jam krenar për mënyrën si kemi reaguar, e gjitha puna ia vlejti, ne krijuam tre apo katër raste. Pësuam një gol që na tronditi.
Por kemi luajtur dy ndeshje europiane në stadiumin tonë dhe kemi pësuar dy gola nga asgjëja. Nuk bëmë presion sa duhej, por kundërshtarët nuk krijuan raste të rëndësishme.
Ndeshja e kthimit? Ata nuk do të rrinë në pritje për ne. Ata do të luajnë, do të kërkojnë të bëjnë lojën. Ne duhet t’i përshtatemi lojës së tyre.
Ndjeja se po i shkaktonim probleme dhe kjo është arsyeja pse loja mori atë drejtim, jo sepse ata u tërhoqën mbrapa. Unë i kam parë ndeshjet e tyre të mëparshme, ata dëshirojnë të luajnë dhe kërkojnë fitoren.
Shanset për kalimin? Nuk di çfarë të them. Ne kemi një gol avantazh, nuk është shumë, por gjithsesi mbetet një avantazh. Nuk mund ta shpreh në përqindje, por do të shkojmë atje dhe të mundohemi të fitojmë.
Ata janë të mirë, po luanin mirë, dolën mirë nga presioni jonë.
Por nëse ne bëjmë një punë të mirë, ne kemi shanset tona”, tha trajneri i Hajdukut para mediave pas përfundimit të ndeshjes.