Pas një stërvitjeje të parë brenda familjes, Interi do të nisë sonte realisht përgatitjet për sezonin e ri me miqësoren në “Louis II” kundër Monacos së Paul Pogba-s, skuadër që e mbylli në vendin e tretë në Ligue 1 sezonin e kaluar.
Megjithatë, atmosfera para ndeshjes nuk është aspak miqësore. Klubi francez ka publikuar një komunikatë në faqen e tij zyrtare ku “paralajmëron” tifozët zikaltër për mbylljen e sektorit të tifozëve miq dhe ndalon ekspozimin e fanellave, shallëve apo çdo aksesor tjetër me ngjyrat e Interit.
Për më tepër, tifozëve italianë u ndalohet të dalin jashtë “zonës neutrale”, me paralajmërimin se shkelja e këtij rregulli mund të çojë në përjashtim nga stadiumi ose madje në ndjekje ligjore.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka irrituar klubin zikaltër, i cili, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për një miqësore, do t’i kërkojë Monacos shpjegime për një masë që duket e pakuptueshme.