Historia mes Juventusit dhe Renato Veiga-s, që dukej e mbyllur përfundimisht rreth një muaj e gjysmë më parë, mund të ketë një kapitull të ri.
Sipas Tuttosport, mbrojtësi portugez dhe klubi bardhezi nuk kanë ndërprerë kurrë kontaktet dhe të dyja palët do të ishin të lumtura të nisnin së bashku sezonin e ri.
Vera e Veiga-s ka qenë e mbushur me lëvizje të papritura. Pas gjashtë muajsh huazim te Juventusi, ai u largua përpara Kupës së Botës për Klube, pasi nuk u arrit një marrëveshje me Chelsea-n për ta lejuar të merrte pjesë në turneun amerikan me bardhezinjtë. Fillimisht dukej se do të bënte pjesë në planet e trajnerit Enzo Maresca, por nuk u përfshi në turneun veror në SHBA për shkak të mbipopullimit në repartin mbrojtës.
Interes për të tregoi edhe Atletico Madridi, por spanjollët vendosën të orientojnë merkaton drejt Hancko-s, pas dështimit të tratativave me Al Nassr. Ndërkohë, dëmtimi i rëndë i gjurit për Levi Colwill mund t’i japë Veiga-s më shumë hapësira te Chelsea, edhe pse konkurrenca mbetet e fortë me emra si Chalobah, Fofana, Disasi, Badiashile dhe talenti i ri Anselmino, i rikthyer nga Boca Juniors.
Për Juventusin, që nuk dëshiron të rrezikojë rikthimin e shpejtë të Bremer pas një dëmtimi të gjatë, Veiga do të ishte një alternativë e vlefshme. Nëse Chelsea do të pranonte formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, kthimi i portugezit në Torino mund të bëhej realitet..