Ish-portieri i Borussia Dortmundit dhe i kombëtares gjermane, Eike Immel, është dënuar me dy vjet e dy muaj burg, pasi u shpall fajtor për mashtrim në 107 raste. Lajmi u konfirmua nga avokati i tij, Turgay Schmidt, për agjencinë gjermane të lajmeve (DPA), ndërsa vendimi u dha nga gjykata e qarkut në Marburg.
Sipas aktakuzës, në shumicën dërrmuese të rasteve, Immel kishte marrë para hua nga të njohur të tij, por nuk i kishte kthyer kurrë. Shuma totale e mashtrimit përllogaritet rreth 34 mijë euro.
Vendimi ende nuk është përfundimtar, pasi pala mbrojtëse ka paralajmëruar ankim. “Do të paraqesim apel kundër vendimit. Do të presim arsyetimin me shkrim të gjykatës, do ta shqyrtojmë me kujdes dhe më pas do të përgatisim ankesën,” deklaroi avokati Schmidt. Afati ligjor për apelim është një javë.
Immel, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për Borussia Dortmund, VfB Stuttgart dhe përfaqësuesen e Gjermanisë Perëndimore, tani përballet me një nga momentet më të vështira të jetës së tij jashtë fushe.