Gjobat e reja turistike pushtojnë Evropën për turistët që sillen keq

- Bota Sot

Gjobat e reja turistike pushtojnë Evropën për turistët që sillen keq

Këtë vit, disa vende evropiane kanë vendosur gjoba të rënda për turistët që sillen keq. Por pse tani – dhe a do ta ndryshojë kjo mënyrën se si njerëzit pushojnë, sipas BBC.

Imagjinoni skenën: Avioni juaj sapo është ulur në Antalia, Turqi, dhe mezi prisni të zbrisni. Ju zgjidhni rripat e sigurimit, lëvizni nga vendi dhe merrni çantën tuaj, të etur për të filluar pushimet.

Por, një asistente fluturimi ju merr mënjanë dhe vendos një gjobë prej 62 eurosh – sepse keni shkelur një rregull të ri: që prej këtij viti, lirimi i rripit të sigurimit ose largimi nga vendi juaj përpara se avioni të ndalojë do të shoqërohet me një gjobë.

Është një fillim i ndëshkueshëm për udhëtimin tuaj. Këtë verë, Evropa po merr masa të ashpra ndaj pushuesve të padisiplinuar.

Nga veshja e shapkave me gisht gjatë drejtimit të automjetit deri te pirja e duhanit në plazhe – një valë e re gjobash turistike po përfshin kontinentin.

Në qytetin bregdetar të njohur të Portugalisë, Albufeira, veshja e rrobave të banjës jashtë plazhit mund t’ju kushtojë deri në 1 500 euro.

Në Ishujt Balearik të Spanjës – duke përfshirë Majorkën dhe Ibizën – gjobat për pirjen e alkoolit në publik mund të arrijnë në 3 000 euro.

Autoritetet thonë se rregullat synojnë mbrojtjen e banorëve – dhe pushuesve të përgjegjshëm.

“Rregullat, ndërsa mund të duken të ngurta dhe ndëshkuese, kanë të bëjnë me inkurajimin e udhëtimit të përgjegjshëm dhe empatik”, tha Jessica Harvey Taylor, shefe e Shtypit në Zyrën Spanjolle të Turizmit, në Londër.

Në Malaga të Spanjës, një fushatë e re me 10 pika “Përmirëso Qëndrimin Tënd” është shpërndarë në autobusë, tabela reklamash dhe media sociale.

Ajo përfshin veshjen e duhur, shmangien e mbeturinave, zhurmën e tepërt dhe përdorimin e skuterëve elektrikë.  Turistet qe nuk i zbatojnë keto rregulla gjobiten me 750 euro.

Lista e gjobave po rritet. Kompania ajrore “Ryanair” mund t’i gjobisë pasagjerët problematikë me një gjobe prej 500 eurosh ose më shumë.

Ecja me këpucë të papërshtatshme, në “Cinque Terre” të Italisë mund t’i bëjë turistët të paguajnë deri në 2 500 euro gjobë.

Dhe Franca tani i gjobit duhanpirësit 90 euro për pirjen e duhanit në plazhe publike dhe në shesh lojërash.

Mbledhja e guaskave të detit në Greqi mund të kushtojë 1 000 euro; noti në kanalet e Venedikut, 350 euro.

Fushatat për ndryshimin e sjelljes duan kohë që të funksionojnë dhe një sezon i vetëm nuk do t’i transformojë zakonet e vizitorëve.

Por mesazhi është i qartë: dielli, rëra dhe deti janë ende në ofertë, por vetëm për ata që pranojnë t’i shijojnë ato me ndjeshmëri dhe me pak maturi. 



Read it all at Bota Sot