FIFA pritet të rishikojë procesin e kualifikimit për Kupën e Botës për Klube 2029 pas triumfit të Chelseat në edicionin e ri të këtij viti.
Organi qeverisës i futbollit botëror po shqyrton mundësinë që Chelsea të kualifikohet automatikisht si kampion në fuqi.
Një tjetër pikë në diskutim është rritja e kufirit aktual prej dy klubeve për vend, ndryshim që ka të ngjarë të hasë në kundërshtimin e UEFA-s, e cila e sheh këtë garë si konkurrente të mundshme të Ligës së Kampionëve.
Sipas burimeve, FIFA do të analizojë edicionin e këtij viti përpara se të vendosë për formatin e vitit 2029. Në tryezë është edhe ideja e zgjerimit të turneut nga 32 në 48 skuadra, por UEFA ka gjasa të jetë kundër.
FIFA është shprehur e zhgënjyer që disa nga klubet më të mëdha, si Liverpooli dhe Barcelona, munguan në turneun e zhvilluar në SHBA, gjë që uli interesin e tifozëve.
Vetëm fituesit e Ligës së Kampionëve nga sezonet 2021–2024 u kualifikuan automatikisht, përfshirë Chelsean dhe Manchester Cityn, ndërsa Liverpooli mbeti jashtë pavarësisht renditjes së lartë në Evropë.
Kritikët thonë se pretendimi i FIFA-s për ta quajtur turneun “garë për klubet më të mira në botë” bie poshtë kur mungojnë emra të mëdhenj nga Anglia, Spanja dhe Italia.
Liverpool, Barcelona dhe Napoli kishin renditje më të mirë, por nuk morën pjesë, ndërsa Salzburgu u kualifikua, por nuk garoi.