Sot Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar takimin e radhës me delegatët e ndeshjeve të Superligës dhe Ligës së Parë, para fillimit të edicionit të ri, që do të nisë më 16 gusht, ku ishin të pranishëm Abdyl Bellopoja, kryetar i Komisionit të Garave, Agron Shosholli, administrator i këtyre dy ligave dhe Dardan Sadiku, përgjegjës i Teknologjisë Informative në FFK.
Në fokus të këtij takimi ishte përdorimi i sistemit të ri “My FFK”. Ky sistem modern dixhital do të fillojë të zbatohet në tërësi nga fillimi i edicionit të ri dhe ka për qëllim të rrisë efikasitetin, transparencën dhe saktësinë e raportimit të ndeshjeve.
Mbikëqyrësi i këtij sistemi, Dardan Sadiku ua shpjegoi delegatëve funksionet dhe procedurën e këtij sistemi rreth raportimit dhe menaxhimit të të dhënave para dhe pas ndeshjes, si dhe praktikat për përdorim efikas. Implementimi i “My FFK” është një avancim i rëndësishëm drejt dixhitalizimit të plotë të proceseve brenda FFK-së, duke përmirësuar komunikimin dhe raportimin mes delegatëve, klubeve dhe Federatës.
Me angazhimin e delegatëve dhe klubeve në këtë sistem, synohet të arrihen standarde edhe më të larta në organizimin e garave. Ndërkohë, të pranishmëve një shpjegim rreth licencave të trajnerëve dhe procedurat që duhet ndjekur ata në sistem ua dha edhe Sanije Krasniqi, shefe e Departamentit të Edukimit në FFK.