WSJ publikon propozimin e Putinit për paqe në Ukrainë – plani parasheh dy faza, por duhet...

- Bota Sot

WSJ publikon propozimin e Putinit për paqe në Ukrainë – plani parasheh dy faza, por duhet...

Presidenti rus, Vladimir Putin thuhet se i ka paraqitur të dërguarit amerikan, Steve Witkoff një propozim gjithëpërfshirës për armëpushim, duke ofruar ndalimin e luftës në këmbim të rajoneve lindore të Ukrainës.

Këtë informacion e ka publikuar The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë evropianë dhe ukrainas.

Edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se bisedimet mes Witkoff dhe Putinit nuk sollën ndonjë përparim në negociatat për paqe, ai njëkohësisht ka njoftuar se do të takohet me liderin rus më 15 gusht në Alaska – takim ky që do të jetë i pari ballë për ballë mes tyre.

Kushtet e Putinit për armëpushim

Sipas zyrtarëve evropianë të informuar mbi bisedimet, Putin i ka thënë Witkoffit se Rusia do të pranonte një armëpushim të plotë nëse Kievi do të tërhiqte forcat e veta nga rajoni i Donetskut. Kjo do t’i siguronte Moskës kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk, si dhe Krimenë.

Zyrtarët evropianë që kanë njohuri me propozimin thuhet se kanë shprehur dyshime serioze, duke frikësuar se Putin po shtyn negociatat për të shmangur sanksionet sekondare të paralajmëruara nga Trump. Një tjetër shqetësim i madh është pasiguria mbi fatin e territoreve pjesërisht të pushtuara në Zaporizhzhia dhe Kherson, pasi nuk është e qartë nëse vijat e frontit do të “ngrinë” aty ku janë aktualisht, apo nëse forcat ruse do të tërhiqen.

Plani me dy faza

Sipas WSJ, propozimi i Putinit përbëhet nga dy faza.

Faza e parë përfshin tërheqjen e trupave ukrainase nga Donetsku dhe ngrirjen e vijës së frontit.

Faza e dytë do të përfshinte një marrëveshje përfundimtare paqeje mes Trump dhe Putin, për të cilën do të negociohej më pas me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump duket se është i hapur për një mundësi të tillë. Në një konferencë shtypi, ai deklaroi se marrëveshja e paqes ndoshta do të përfshinte një “shkëmbim territori”.

“Po flasim për territore për të cilat luftohet tashmë prej tre vitesh e gjysmë… Pra, po e shqyrtojmë këtë çështje, por duam të marrim diçka mbrapsht. Njëfarë shkëmbimi, është e ndërlikuar. Diçka do të marrim. Diçka do të japim. Do të ketë disa shkëmbime territoresh që i shkojnë për shtat të dyja palëve”, shtoi ai, pa sqaruar se çfarë kuptonte saktësisht me “shkëmbim”.

Presion ndaj Kievit

Trump tha gjithashtu se Zelensky do të duhet të përgatitet për të nënshkruar diçka, pa dhënë detaje për kushtet e mundshme. Ndërkohë, edhe Bloomberg ka raportuar se zyrtarë amerikanë dhe rusë po punojnë për një marrëveshje territoriale me synimin për të ngrirë konfliktin.

Zyra e presidentit ukrainas ende nuk ka reaguar zyrtarisht, por një zyrtar ukrainas që mori pjesë në bisedimet me Witkoffin i tha WSJ-së se Kievi nuk është kundër asnjë propozimi, por theksoi se armëpushimi është një parakusht për çdo hap të mëtejshëm. Rusia ka paraqitur edhe më herët kërkesa maksimaliste, përfshirë heqjen dorë nga NATO-ja dhe tërheqjen e forcave nga katër rajone. 



Read it all at Bota Sot