Pas turit aziatik me paraqitje pozitive, Milani i Massimiliano Allegrit u kthye në Europë dhe barazoi 1>1 me Leeds në miqësoren e zhvilluar në Dublin. Për trajnerin, testi solli sinjale inkurajuese, mes tyre goli i Santiago Gimenez në debutimin me Allegrin dhe ndeshja e parë e Ardon Jasharit me fanellën kuqezi.
“Pjesa e parë ishte e mirë, kishim më shumë energji dhe bëmë gjëra pozitive.
Ky ishte një test i rëndësishëm për të parë gjendjen e djemve.
Më vjen keq për golin e barazimit, por e rëndësishme ishte t’u jepnim pothuajse të gjithëve mundësinë të luanin 90 minuta,” tha Allegri pas ndeshjes.
Trajneri theksoi nevojën për qetësi dhe punë të balancuar: “Para se të japësh gjykime, lojtarët duhen stërvitur.
Futbollistët e mirë mbeten të tillë edhe pas një sezoni jo të mirë. Nuk duhet të kapemi pas entuziazmit.
Kampionati nuk fitohet dhe as humbet në një ndeshje, ndaj duhet ekuilibër edhe në momentet e vështira… duke shpresuar që të mos ketë shumë të tilla.”
Sa i përket debutimit të Jasharit nga minuta e parë, Allegri u shpreh i kënaqur: “Më habiti mënyra si luajti, duke qenë se është stërvitur vetëm dhe pa top në këto ditë. Sigurisht, si të gjithë, ka nevojë të përmirësojë gjendjen fizike dhe mendore".