Shënimi i fundit në ditarin personal të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruar vetëm dy ditë para ndarjes së saj nga jeta është zbuluar në versionin e përditësuar të një biografie të re mbretërore.
Sipas autorit britanik Robert Hardman, Mbretëresha ka bërë regjistrimin e fundit në ditarin e saj më 6 shtator 2022, ndërsa ndodhej në rezidencën mbretërore në Balmoral. Dy ditë më pas, më 8 shtator, ajo ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare.
Shënimi i fundit i saj ishte i shkurtër dhe praktik:
“Edward erdhi të më takonte”.
Kjo është një referencë për sekretarin e saj privat, Sir Edward Young, i cili e ndihmoi Mbretëreshën të përgatitej për detyrën e saj të fundit publike takimin me kryeministren e re Liz Truss për betimin e qeverisë së re.
Elizabeth II ka qenë e njohur për përkushtimin e saj në mbajtjen e ditarit përgjatë gjithë mbretërimit të saj 70-vjeçar. Ajo e përdorte këtë praktikë si një formë dokumentimi të përditshëm dhe jo për analizë personale.
“Nuk kam kohë të regjistroj biseda, vetëm ngjarje”, i kishte thënë dikur sociologut Kenneth Rose.
Sipas burimeve nga pallati mbretëror, Mbretëresha shkruante gjithmonë me stilolaps dhe bojë të zezë, në fletore të lidhura me lëkurë. Ajo i mbante shënimet çdo ditë në tavolinën e saj, pavarësisht lodhjes apo orarit të vonë, duke mos e anashkaluar asnjëherë këtë zakon.
Tradita e ditarit mbretëror vazhdon edhe me Mbretin Charles III, i cili, sipas ndihmësve të tij, ruan një formë më personale të shkrimeve, ku përmbledh mendimet dhe reflektimet e ditës në fund të çdo mbrëmjeje.
Ky zbulim vjen si pjesë e botimit të përditësuar të librit “Charles III: New King. New Court. The Inside Story”, i publikuar më 7 nëntor.