Lojtari shqiptar: Do të ndajë dhomën e zhveshjes me Luka Modriçin

- Bota Sot

Lojtari shqiptar: Do të ndajë dhomën e zhveshjes me Luka Modriçin

Ardon Jashari ka bërë prezantimin e tij të parë si lojtar i Milanit, duke dhënë një intervistë për televizionin zyrtar të klubit kuqezinj.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare nuk e fshehu emocionin që ndjen për këtë hap të madh në karrierë.

“Është një ndjenjë e pabesueshme të jem këtu pas javëve të fundit të ngarkuara. Jam krenar që bëhem pjesë e këtij klubi historik dhe do të jap gjithçka për ta ndihmuar skuadrën të kthehet aty ku i takon: në majat e futbollit.

Synimi im është të fitojmë trofe dhe të sjellim gëzim për tifozët.”

“Kur mora vesh që Milani më donte, nuk kisha asnjë dyshim. Ishte rruga që doja të ndiqja bashkë me familjen time. Ëndrra ime që nga fëmijëria ka qenë të luaj për këtë klub. Në shtëpinë time dhe mes miqve të mi, Milani ka qenë gjithmonë prezent. Sot, kjo ëndërr është bërë realitet.”

“Mendoj se mund të jap shumë në aspektin fizik, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese. Dua të ndihmoj me pasimin e fundit, të krijoj raste për gol dhe të kontribuoj në çdo aspekt të lojës.”

“Roberto Baggio dhe Andrea Pirlo kanë qenë lojtarët që kam dashur më shumë. Më pëlqente mënyra se si e interpretonin lojën, teknikën dhe vizionin që kishin.

Kjo është ajo që përpiqem edhe unë të bëj në fushë.” Një moment i veçantë për të është fakti që tani do të ndajë dhomën e zhveshjes me Luka Modriç.

“Të luash me një legjendë si Modriç është diçka fantastike. Ka fituar gjithçka dhe është një nga mesfushorët më të mëdhenj në histori.

Dua të mësoj çdo gjë prej tij, të dëgjoj këshillat e tij dhe të përfitoj nga përvoja e tij e jashtëzakonshme, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”., tha Jashari.



Read it all at Bota Sot