Lamine Yamal është lojtari më i shtrenjtë në botë.
Talenti i Barcelonës ka lënë pas të gjithë yjet e tjerë të futbollit, duke marrë vendin e parë në renditjen e përditësuar nga siti i specializuar në tregun e transferimeve, “Transfermark”.
Vetëm 18 vjeç, kartoni i Lamine Yamal vlerësohet 200 milion euro.
Një shifër e çmendur, por që nuk i afrohet aspak klauzolës 1 miliard euro që e mban të lidhur me Barcelonën, pasi firmosi rinovimin e kontratës.
Për t’u kthyer sërish te renditja e futbollistëve më të shtrenjtë, sulmuesi spanjol le pas Jude Bellingham.
Mesfushori anglez vlerësohet 180 milion euro, aq sa Erling Haland dhe Kylian Mbappe, por për shkak të moshës, ai i paraprin sulmuesin norvegjez të Manchester City dhe atij francez të Real Madrid.
Pesëshja e parë e klasifikimit plotësohet me Vinicius Junior.
Real Madrid dominon me katër lojtarë në dhjetë vendet e para, pasi në listën e futbollistëve me vlerë kartoni më të lartë se 100 milion euro bën pjesë edhe Federico Valverde.
Pjesë e këtij “klubi” janë edhe talentet e tjera të futbollit botëror si Bukayo Saka, Pedri, Florian Virtz dhe Jama Musiala.
Ndërkaq, mesfushori i Barcelonës, Gavi, ka shprehur publikisht mbështetjen për shokun e skuadrës, Lamine Yamal, duke e cilësuar 18-vjeçarin si një nga pretendentët kryesorë për të fituar “Topin e Artë” 2025.
Në një intervistë për gazetën AS pas fitores 7-3 të Barçës ndaj FC Seul në ndeshjen parasezonale në Korenë e Jugut, Gavi lavdëroi talentin katalanhas dhe progresin e shpejtë të Yamalit, i cili ka shkëlqyer si me klubin ashtu edhe me kombëtaren spanjole.