I gjori Nicolas, i varfëruar nga taksat, i shtypur nga tarifat, i grabitur nga të huajt dhe nga burokratët e vjetër; tridhjetëvjeçar nga një qytet francez, me diplomë, i punësuar në mënyra të ndryshme, i rraskapitur nga sistemi shtetëror që u jep përparësi Karimëve apo Bernardëve.
Përjashto faktin që Nicolas nuk ekziston dhe se lëvizja e dedikuar për të, “Nicolas qui paie” (“Nicolas-i që paguan”), është një krijesë e galaksisë së ekstremit të djathtë, e cila po rritet gjithnjë e më shumë në popullaritet.
Një variant francez i shprehjes popullore italiane “paga Pantalone”, por në këtë rast, i gjori francez ka një emër të përhapur mes atyre që i përkasin gjeneratës së Millennial-ëve dhe Gen Z, është i martuar me një “Julie që paguan”, dhe të dy janë të detyruar nga politikanët e këqij të mbajnë mbi shpinë gjithë barrën e shpenzimeve publike, për përfitimin ekskluziv të emigrantëve apo pensionistëve.
Kjo lëvizje u promovua sërish në Parlament në fund të korrikut nga deputeti Gerault Verny, i zgjedhur nga Unioni i së djathtës për Republikën (fraksion golist i udhëhequr nga Eric Ciotti), dhe njëkohësisht pronari kryesor i gazetës ekstremiste Frontieres.
Nga vendi i tij në Parlament, ai paralajmëroi: “Çdo muaj, është Nicolas-i që paguan”, duke qenë i kujdesshëm që në fund të qershorit të regjistronte si markë këtë slogan në Zyrën franceze të pronësisë industriale.
Slogani kishte qarkulluar më parë në internet, fillimisht përmes profilit “@Bouli”, me humor konservator, dhe më vonë, në nëntor të vitit 2024, në llogarinë në X “@NicolasQuiPaie”, e cila ka grumbulluar rreth 73 mijë ndjekës, por më e rëndësishmja, rreth pothuaj gjysmë milioni postime të lidhura me të. Kjo ka sjellë gjithashtu vëmendjen në rritje të shtetit “armik”.
Një këshilltar i Elizesë ka pranuar për median evropiane Politico se lëvizja po ndiqet nga afër në nivelet më të larta, “qoftë ajo e ekstremit të djathtë, apo thjesht një tregues i pakënaqësisë së përgjithshme për taksat”. Sepse vjeshta pritet të jetë e nxehtë.
Kryeministri François Bayrou ka anuluar pushimet për të punuar në një plan prej 40 miliardë eurosh shkurtime (të shpërndara në kohë dhe në sektorë të ndryshëm); duke njoftuar këtë fundjavë një propozim për të hequr dy ditë festash zyrtare dhe për të shtrënguar ndihmën për papunësinë, me synimin për të kursyer 4 miliardë euro në vit.
Frika më e madhe është një valë e re protestash në stilin e “jelekëve të verdhë“, e cila mund të paralizojë Francën më 10 shtator, në protestën e paralajmëruar si “bllokuese e vendit“: ku do të bashkohen ish-protestuesit, ekstremi i djathtë, e majta radikale dhe grupe të tjera “anti-sistem”, për të kundërshtuar një plan financiar që duket tashmë shumë i vështirë për t’u zbatuar. Dhe për të cilin nuk është e sigurt nëse qeveria do të mbijetojë.