Sipas “Defensa Central”, Real Madrid ka vendosur të përqendrojë vëmendjen te qendërmbrojtësi francez Ibrahima Konate si përforcim për repartin e mbrojtjes.
Objektivi i madrilenëve nuk është ta transferojnë menjëherë, por ta sigurojnë me parametër zero në verën e vitit 2026, kur i skadon kontrata me Liverpool-in. Kjo strategji vjen edhe për shkak të investimeve të mëdha tashmë të kryera këtë verë për afrime si Franco Mastantuono, Trent Alexander-Arnold, Álvaro Carreras dhe Dean Huijsen.
Konaté, i vlerësuar për fizikun dhe sigurinë në fushë, shihet si profili ideal për projektin e “Los Blancos”. Megjithatë, Chelsea ka hyrë fuqishëm në garë pas dëmtimit të rëndë të Levi Colëill, një nga mbrojtësit kyç të Enzo Marescës. “Blutë” janë gati të ofrojnë 50 milionë euro për ta marrë francezin që në këtë merkato.
Liverpool, nga ana tjetër, nuk dëshiron të humbasë një nga mbrojtësit më të mirë dhe aq më pak ta shesë te një rival direkt në Premier League. Klubi anglez synon rinovimin e kontratës për të mbyllur çdo zë largimi.
Chelsea ka marrë një “jo” për ofertën e parë, por mund të rikthehet me një propozim më të lartë në javët e ardhshme. Nëse nuk arrihet marrëveshje për rinovim, rreziku është që Konaté të largohet falas brenda më pak se një viti, një skenar që “The Reds” duan ta shmangin me çdo kusht.