PSG ishte shumë pranë fitimit të gjithçkaje sezonin e kaluar, duke humbur vetëm Kupën e Botës për Klube. Edhe në SHBA, skuadra pariziene tregoi epërsi fizike e teknike pothuajse në çdo repart. Pa shumë pushim, parizienët nisin sezonin e ri me të njëjtat ambicie, madje me përgjegjësi të reja: mbrojtjen e titullit kontinental.
Në një intervistë për portalin zyrtar të UEFA-s, Luis Enrique tha se e ka fokusin te sezoni 2025-2026, që nis këtë të mërkurë kundër Tottenham-it në Superkupën e Europës, sfida që hap zyrtarisht sezonin kontinental.
Ai kujtoi sukseset e sezonit të kaluar, por theksoi se futbolli nuk ka kujtesë dhe çdo sezon është një histori më vete.
Fitimi i Champions-it, sipas tij, ka vendosur një pikë kthese në historinë e PSG-së: “Edhe pse në 3-4 ndeshjet e para ishim në fije të perit, e meritonim të kishim shumë më tepër pikë. Gjërat u vështirësuan dhe besimi ra. Altruizmi i lojtarëve e ndryshoi këtë”.
Para finales ndaj Interit në Mynih, iu tha lojtarëve: “Le të përpiqemi të jemi në 105%, jo në 120%, sepse ky lloj futbolli të mbyt”.
Objektivat mbeten të njëjtë; luftë për të gjithë trofetë: “Gjithçka do të jetë më e vështirë, sepse ka më shumë në lojë. Futbollistikisht, besoj se do të përmirësohemi si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ende mund t’i përmirësojmë disa faza të lojës”.