Negociatat mes Milanit dhe Manchester United për Rasmus Hojlund kanë marrë një hap të madh përpara.
Drejtori sportiv i kuqezinjve, Igli Tare, i cili ndodhet në Angli, ka marrë “OK”-in e klubit anglez për një huazim me pagesë dhe të drejtë blerjeje për sulmuesin danez, i konsideruar objektivi kryesor për repartin ofensiv të Milanit të Massimiliano Allegrit. Ende mbeten për t’u përcaktuar detajet dhe shifrat e sakta, por drita jeshile nga “Djajtë e Kuq” është një sinjal i fortë pozitiv për suksesin e marrëveshjes.
Megjithatë, gjithçka nuk është mbyllur ende: tani Tare duhet të bindë vetë Hojlund që të pranojë transferimin në Milano. Lojtari dëshiron të shlyejë sezonin e dobët në Premier League dhe preferon të provojë të rikthehet në formë në Angli. Nga ana tjetër, Milani i ofron atij mundësinë e ringritjes në një vit që të çon drejt Botërorit.
Tare mbetet optimist, me miratimin e Furlanit dhe ndihmën e një ndërmjetësi të njohur, por nuk mbyll as pista të tjera – përfshirë Dusan Vlahovic, edhe pse shumë më të kushtueshme dhe të komplikuara në këtë moment.
Ndërkohë, nga Londra, drejtori sportiv i Milanit po dëgjon me interes ofertat për mesfushorin Yunus Musah. Allegri do ta mbante, por nëse mbi tavolinë mbërrijnë oferta prej të paktën 30 milionë eurosh, Milani mund të mos thotë jo. Një shitje e rëndësishme mund të hapte rrugën për përforcime të tjera.