Drejtori teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ka konfirmuar se sulmuesi 22-vjeçar i Cesena-s, Cristian Shpendi, është në listën e pritjes për Kombëtaren A. Në një intervistë për “Radio Firenze Viola”, Pea e përshkroi Shpendin si një lojtar të kompletuar, teknik dhe të shpejtë, që shënon dhe kontribuon për ekipin, duke theksuar se ai ka potencial të madh për t’u rritur më tej.
“Cristian Shpendi është një sulmues i kompletuar, teknik, i shpejtë, i cili shënon dhe luan për ekipin, që mund të rritet ende. Ai ka mbyllur rrugëtimin me U21 dhe tani është pjesë e listës së pritjes në Kombëtaren A, pasi është shumë premtues.”
Pas përfundimit të angazhimeve me Shpresat (U21), Shpendi pritet të bëhet pjesë e ekipit të parë.
Pea foli edhe për Kristjan Asllanin, duke e konsideruar një nga lojtarët më të rëndësishëm te Kuqezinjtë. “Sipas meje, për të është momenti që të provojë situata të reja dhe të gjejë një vend ku të luajë rregullisht, gjë që tek Inter nuk e ka.”
Fulvio Pea vlerësoi edhe punën e bërë në këto vite nga presidenti i FSHF-së: “Federata Shqiptare e Futbollit ka një president largpamës, që prej 24 vitesh ka ndërtuar çdo gjë, përfshirë qendrën sportive, ku punohet mirë.”
Pea është prej më shumë se dy vitesh drejtor teknik në FSHF dhe ka për detyrë gjetjen e talenteve dhe monitorimin e skuadrave kombëtare, nga moshat deri te ajo A.