Konteksti aktual
Historia e luftës së Kosovës po shënjestrohet në dy fronte: Nga njëra anë, propaganda e koordinuar e Serbisë, e cila në forumet ndërkombëtare dhe mediat globale përpiqet të paraqesë agresionin e viteve ’98-’99 si “konflikt civil” dhe të relativizojë krimet e kryera. Nga ana tjetër, një heshtje e frikshme nga vetë institucionet e Kosovës, që shpesh duken të lodhura nga e vërteta dhe të gatshme për kompromis të rrezikshëm. Narrativa e rreme tashmë nuk përhapet vetëm në dokumentarë apo libra, por edhe në TikTok, YouTube e rrjete sociale, ku montazhet propagandistike fitojnë miliona shikime, ndërsa brezi i ri shpesh e njeh më shumë versionin e manipuluar se atë të vërtetë. Ndërkohë, diaspora shqiptaro-amerikane – dikur shtylla kryesore e rezistencës, financimit dhe mobilizimit – sot është lënë në harresë institucionale, pa vend në librat zyrtarë dhe pa mirënjohjen që i takon.
Nga realiteti i luftës te zbrazëtia e pasluftës
Në logjikën e Luftës së Ftohtë, udhëheqja serbo-jugosllave shihej nga disa qendra perëndimore si “aleat i dobishëm”, për shkak të pozicionit të saj gjeopolitik kundrejt Bashkimit Sovjetik. Por lufta e Kosovës përmbysi këtë ekuilibër të rremë. Serbia e viteve ’90 ishte një shtet i kriminalizuar, që kishte ngritur një aparat represiv për të shkatërruar identitetin dhe ekzistencën fizike të shqiptarëve. UÇK-ja lindi si reagim i natyrshëm dhe i domosdoshëm ndaj kësaj dhune, në një kohë kur formacione të tjera si FARK-u, edhe pse kishin burime financiare, nuk arritën të krijonin ndikim real në terren. Planet institucionale për rezistencë shpesh dështonin, listat e luftëtarëve binin në duart e armikut, udhëheqësit iknin, dhe popullsia mbetej e pambrojtur. Kapitullimi i politikës para dhe gjatë eksodit të vitit 1999 ishte i plotë.
Këtë e pasqyron denjësisht poeti dhe atdhetari, Zeqir Gërvalla me poezinë e tij origjinale e ruajtur në formën e vitit 1999, pa asnjë ndërhyrje:
ZËRI I KOSOVËS PËR LIRI
Anembanë bOtës
u dëgjua
Zëri i Kosovës
si det vale-valë
plot gjëmë e dallgë…
U zgjua rinia
U zgjua burrëria
U zgjua vashëria
hasmit serb i doli për –ballë…
… Së bashku me fushat
Së bashku me malet
Së bashku me fshatrat
Së bashku me qytetet
Së bashku me lumenjt
së bashku me detet…
UÇK-ja u ngrit në këmbë
me qëndrim-guxim e këngë
Popullit: në ballë i doli
Me grykën e pushkës armikut i foli…
E, VENDLINJA THËRRET
E para – në ndihmë iu gjet.
II
Një vdiste në front…
N’popull lindnin njëqind…
UÇK-ja shtohej-forcohej me mijëra shpirtra
çdo ditë…
Bota e kuptoi…
Bota u bind:
se ky popull ( burra-gra-rini-fëmijë )
MË s’duron të jetojë nën robëri
PO gjakon dritë-LIRI…
… Krisma pushkësh ndër beteja
Për FITORE – dritë-Reja…
UÇK-eja po lufton
Mbarë Kosova po ushton
Të gjithë shqiptarët për t’i bashkuar
Nën FLAMURIN KUQ e ZI
Për KOSOVË-ÇAMËRI – SHQIPËRI…
E, VENDLINDJA THËRRET
E para – në ndihmë iu gjet.
III
Po…
Anembanë bOtës
u dëgjua Zëri i Kosovës
porsi deti dallgë-dallgë…
Hapen varre…
Hapen plagë…
Hapen horizonte…
Rihapen varre…
Rihapen plagë…
Rihapen horizonte të Reja…
Në MBROJTJE KOMBËTARE
SHndërrohet UÇK-eja;
Rivarrosen: trimat… dëshmorët… viktimat…
Ringjallen përsëri – feniksë të rinj…
Po, po…
Shërohen plagë
për LIRINË dritëbardhë
që në prag
Ja, ka ardhë…
E, VENDLINDJA THËRRET
Sërish – në ndihmë iu gjet…
IV
… edhe Sot
Anembanë Kosovës…
Jehojnë fushat-kodrat-malet…
Lufta jonë, o dot nuk ndalet:
pa e bërë SHQIPËRINË ETNIKE
me tërë bOtën
të jetë
Mike…
E, VENDLINDJA THËRRET
Dha frytin e vet –
U bë: FOND KOSOVE;
me shqiptarët
Anembanë kësaj bOte
për Sot –
e Mijëvjeçarin e Ri
Për DRITË e (I) L I R I . . .
( Bronx, NY Amerikë
Më 26.VIII. 1999 )
Saga për vullnetarët e diasporës
Fondi “Vendlindja thërret” ishte jo vetëm një mekanizëm financiar, por një akt i pastër solidariteti dhe sakrifice. Ai u krijua nga diaspora, u mbajt gjallë nga djersa e punëtorëve emigrantë dhe u shndërrua në arterien kryesore të furnizimit me armatim, uniforma dhe mbështetje logjistike. Sot, 26 vjet më pas, listat e veteranëve shpesh shndërrohen në skandale politike, ndërsa emrat e administratorëve dhe kontribuuesve kryesorë të fondit nuk përmenden asnjëherë. Politika e sotme e Kosovës është më e gatshme të përkujtojë “kontributet institucionale” të atyre që nuk ndryshuan rrjedhën e historisë, se sa të nderojë ata që realisht e mbajtën atë gjallë. Kjo nuk është vetëm padrejtësi morale, por edhe një rrezik për shtrembërimin e kujtesës kombëtare.
Thirrje për drejtësi historike
Historia nuk është pronë e politikanëve të radhës. Ajo u takon atyre që e bënë me gjak, me punë dhe me besim. Diaspora shqiptaro-amerikane ishte fituesi moral i luftës – jo vetëm sepse dha financa dhe armë, por sepse besoi në një Kosovë të lirë kur askush tjetër nuk e garantonte këtë. Në vitin 2025, është koha që Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e Kosovës të vendosin këtë të vërtetë në librat e historisë dhe ta njohin zyrtarisht: pa diasporën, pa Fondin “Vendlindja thërret” dhe pa sakrificën e mërgimtarëve, kjo luftë nuk do të kishte pasur fundin që pati.