Iñigo Martínez u largua javën e kaluar nga Barcelona në mënyrë të papritur për t’u transferuar tek Al Nassr, në kampionatin arab. Ish-mbrojtësi i Barcelonës foli për herë të parë mbi largimin e tij në një intervistë për “Onda Vasca”.
Oferta – “Me shumë gjasa do ta kisha menduar më gjatë nëse do të kisha më shumë se një vit kontratë. Nuk kisha një pagë të ulët te Barça dhe familja ishte e lumtur. Nuk ka qenë e lehtë ta merrja këtë këtë vendim, sepse pas vete kam edhe bashkëshorten e vajzat. Me siguri po të kisha më shumë vite kontratë, do ta kisha menduar”.
Flick – “Fola me trajnerin pas kthimit nga turneu aziatik. Isha i sinqertë me të, sepse e dija që do të më kuptonte plotësisht. Më kishte mbetur vetëm një vit kontratë dhe jam 34 vjeç.
Këto ‘trena’ të kalojnë rrallë në karrierë dhe është e vështirë të thuash ‘jo’. Ky vendim e zuri paksa në befasi, por e kuptoi plotësisht që nga minuta e dytë. Ishte një bisedë e këndshme dhe më erdhi shumë keq, sepse kishte respekt të ndërsjellë mes nesh.
Ishte një moment i trishtë, jo i tensionuar, por me shumë emocion, sepse kupton që po mbaron koha për të qenë bashkë dhe që nuk do të isha më pjesë e grupit. E dija sa i rëndësishëm isha për të”.
Kontrata – “Kur e sheh ofertën, nuk e beson. Askush nuk është i përgatitur të shohë kontrata të tilla, të paktën unë jo. Unë kam qenë një punëtor i fushës së futbollit, duke u ngjitur shkallë-shkallë me mund dhe djersë, por kur merr një kontratë të tillë, të zë krejt papritur, sidomos për familjen”.
“Camp Nou” – “Më vjen keq që nuk do të jem atje. Do të kisha dashur ta njihja nga afër, sidomos pas ristrukturimit të plotë”.