Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se Ukraina duhet të jetë në tryezë në negociatat që do të pasojnë takimin midis Donald Trump dhe Vladimir Putin të premten në Alaska.
Ai në një konferencë për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, theksoi se duhet të ndiqet e vetmja sekuencë e saktë e ngjarjeve: së pari duhet të arrihet një armëpushim dhe pastaj një marrëveshje paqeje afatgjatë, raporton KosovaPress.
Një "armëpushim" midis Moskës dhe Kievit "duhet të vijë së pari" në mënyrë që çdo negociatë të mund të zhvillohet "në rendin e duhur", tha ai pas bisedimeve të tyre, në një video-konferencë me udhëheqësit evropianë, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Merz theksoi se duhet të ketë garanci të forta sigurie, duke respektuar sovranitetin e Ukrainës.
Ai tha se Evropa po bënte gjithçka që mundej për të "ndihmuar në përcaktimin e agjendës" për takimin midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Alaska. Ai tha se shpresonte që Trump do ta bënte takimin një sukses.
"Interesat e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës duhet të mbrohen në Alaska", tha Merz në një konferencë për shtyp, duke thënë se e kishte diskutuar këtë me Trump.
Zelensky tha se do të donte të shihte sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk bie dakord për një armëpushim. Ai tha se "Putin po bën blof, duke u përpjekur të bëjë një përparim në çdo pjesë të frontit". Ai e përdori takimin e sotëm për ti thënë Trump dhe udhëheqësve evropianë se Putin "nuk dëshiron paqe", duke shtuar se ata e kuptojnë qëndrimin e tij.
"Putin nuk mund të na mashtrojë", tha ai duke shtuar se Trump tha se do ta kontaktonte atë pas takimit të tij me Putin të premten.